Në vitin 2020, tregu i auditimit arriti në rreth 8.6 milionë euro, me një rritje prej 33% me bazë vjetore sipas të dhënave zyrtare nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP).
Tregu i auditimit në fund të vitit 2020 ka pasur 231 auditues ligjorë të regjistruar nga të cilët 148 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik, 58 shoqëri auditimi dhe 25 auditues ligjorë të punësuar pranë shoqërive të auditimit.
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë ndërmarrë 3288 auditime ligjore në vit referuar të dhënave për angazhimet e auditimit të realizuara në vitin 2020, sipas BMP.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka publikuar për të dytin vit radhazi renditjen në tregun e Auditimit për personat fizikë dhe personat juridikë sipas volumit të të ardhurave nga shërbimet e Auditimit dhe numrit të njësive ekonomike të audituara në bazë të të dhënave të mbledhura dhe të analizuara nga BMP për vitin 2020.

Ndonëse tregu në vlerë është rritur, viti 2020 ka sjellë një ulje të lehtë të dominancës së më të mëdhenjve, sipas të ardhurave.
Shoqëria më e madhe audituese, “Grant Thornton Shpk” kishte 7.35% të tregut të auditimit sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi, nga 8.35% në 2019-n.
Në renditjen e vitit të mëparshëm, “Grant Thornton Shpk” ishte në vend të katërt me 5.73%.
“Mazars”, që në 2019-n kryesoi tregun e auditimit sipas të ardhurave, ka zbritur në vend të katërt, me 5.9% të tregut në 2020-n, nga 8.35% vitin e mëparshëm.
Në vend të dytë është shoqëria “Ernst & Young Eksperte Kontabel te Autorizuar”, me 6.36% të të ardhurave, duke u ngjitur nga pozicioni i tretë ku ishte një vit më parë, ndonëse pesha e tregut një vit më parë ishte më e lartë, në 7.25%.
E treta në renditje është “Deloitte Audit Albania Shpk”, me 5.9%, duke zbritur nga pozicioni i dytë i një viti më parë, kur kishte 8.1% të tregut.
Në vitin 2020, shoqëritë e auditimit shënuan 63.2% të të ardhurave nga shërbimet e auditimit, përkundrejt 35.8 të realizuara nga audituesit ligjorë. Pesha e shoqërive të auditimit është rritur lehtë me rreth 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm.
Shërbimet e tjera të realizuara nga audituesit ligjorë / shoqëritë e auditimit zënë një peshë të konsiderueshme në të ardhurat e tyre. Kështu, nga të dhënat e disponueshme për vitin 2020, rezulton që audituesit ligjorë / shoqëritë e auditimit kanë realizuar të ardhura nga shërbime të tjera në një vlerë prej rreth 831 milion Lekë ose rreth 6.7 milion euro.
Ashtu si në angazhimet e auditimit, shoqëritë audituese zënë peshën më të konsiderueshme me rreth 52% të të ardhurave në dhënien e shërbimeve të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




