Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe, i ka dërguar sot Gjykatës së Hagës një kërkesë që të lirojë nga paraburgimi ish-kreun e shtetit të Kosovës, duke thënë se dy shtete të fuqishme kanë dhënë garancinë e tyre.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar Dhomave të Specializuara, Keohe thotë se ndonëse qeveria e Kosovës nuk ishte e gatshme të dilte garante e lirimit nga paraburgimi të krerëve të UÇK-së, dy shtete të treta kanë ofruar gatishmërinë e tyre.
Sipas avokatit, një nga shtetet në fjalë është edhe kontribues në Gjykatën Speciale.
“Mbrojtja e zotit Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëra prej të cilave është një shtet kontribues, për të lehtësuar lirimin e Thaçi në territoret e tyre përkatëse”, thuhet në kërkesën e Keohes.
Sidoqoftë nuk dihet se cilat nga vendet kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit, por disa javë më parë mediat në Kosovë kanë përmendur Slloveninë.
Avokati amerikan i Thaçit thotë se ish-presidenti nuk ka më ndikimin që ka pasur në Kosovë dhe nuk përbën ndonjë rrezik për ndërhyrje në procedurë në rast të lirimit të tij nga paraburgimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.