Politike

Basha: Zgjedhjet s’i njohim, do ngremë platformë qytetare, me kritikët kurrë më s’do kthej faqen tjetër

Në më shumë se një orë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar që nuk u shoqërua me ovacione të mëdha. Në fjalimin e tij të gjatë, Basha foli për “masakrën zgjedhore”, nevojën për bashkëpunim me të rinjtë, tha se nuk do t’i njohë zgjedhjet e 25 Prillit, njoftoi  futjen e opozitës në Kuvend në Shtator dhe mbi të gjitha foli për një platformë qytetare që do të iniciohet nga PD-ja me objektiv  ndryshimet kushtetuese deri edhe një ndarje të re territoriale. Basha pati një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për kritikët brenda partisë.

Zgjedhjet

Megjithëse 25 Prilli, sipas Bashës, nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, PD doli më e fortë dhe më e bashkuar.

“Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.

Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.

Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama”, tha ai.

Basha tha se PD hyri në zgjedhje, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve

Kryetari i demokratëve premtoi gjithashtu se PD do të luftojë për ndarjen e politikës nga krimi.

“Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij.

Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki.

Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

“Për ne 25 prilli nuk është një histori e mbyllur, masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim.

Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për cfarë i kanë bërë vendit tonë dhe demokracisë!”, nënvizoi ai

Platforma

Basha denoncoi atë që ai e cilësoi si korrupsioni marramendës i qeverisë “Rama”

Misioni ynë është t’u kthejmë qytetarëve të drejtën për të vendosur, ndaj dhe misioni i PD-së sipas tij është t’u kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre.

“T’u kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre, këtu pranë familjeve dhe miqve të tyre. Larg trysnisë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në cdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithcka dhe nuk jep asgjë.

T’ua kthejë të drejtën për të vendosur, t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve”. Por si? .

“Rruga drejt realizimi të këtij misioni nuk është e lehtë dhe as e tillë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme. 

Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë.

Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.

Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë,  të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend”, tha ai. 

Cfarë do të synojë kjo platformë?

 “Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike dhe e shpëtojnë shtetin nga kapja e një pakice që kërcënon të ardhmen e vendit…”, tha Basha duke nënvizuar se platforma do të vijojë të shtrihet edhe në Kuvend në shtator.

“Me përvojën e akumuluar dhe vullnetin e ripërtërirë për të shtrirë dhe zgjeruar bashkëpunimin me forcat e gjalla, konstruktive dhe të përgjegjshme të shoqërisë, me mbështetjen e partnerëve Euro-Atlantikë, ne do ta çojmë këtë Platformë Qytetare për Demokracinë edhe në Parlament, ku do të zhvillohet një pjesë e betejës tonë për rikthimin e legjitimitetit në vend”.

Mesazhi për kritikët

Basha ftoi gjithashtu të rinjtë që të marrin në dorë përgjegjësitë që u takojnë. Por mbi të gjitha kishte një mesazh për kritiket e tij.

“Sot gjithashtu kam një thirrje për të gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që ky regjim përbën për demokracinë, dhe ndër vite kanë kontribuar për Partinë Demokratike. Kjo është dhe mbetet shtëpia juaj. Nëse doni të jepni kontributin tuaj, apo të ktheni në shërbim ndaj demokratëve besimin që demokratët ju kanë dhënë ndër vite, jeni të mirëpritur.

Nga ana tjetër kam edhe një mesazh për të gjithë ata, që për një motiv apo për një tjetër kanë parë të arsyeshme të luftojnë më shumë kundër Partisë Demokratike se sa kundër Ramës:

Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme…”, tha ai

“…Natyrisht, ne nuk jemi të përsosur, dhe unë nuk kam qenë kurrë personi që mëton pagabueshmërinë e liderit.

Megjithatë në asnjë moment nuk duhet të ngatërrojmë diferencën mes debateve për përmirësimet që ne bëjmë për të qenë edhe më pranë njerëzve, edhe më të hapur me njëri-tjetrin, edhe më të fortë si parti,,, dhe pseudo-debatit që nxitet, për të fshehur krimet dhe padrejtësitë që janë bërë mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe për të spostuar artificialisht vëmendjen nga partia e lidhur me krimin që varfëron shqiptarët, te Partia Demokratike, që ka zgjedhur që luftën me regjimin të mos e zhvillojë me të njëjtat mjete.

Sepse të gjithë e dimë që krimi pjell krim. Sepse përsëritja e të njëjtit model, me emra të ndryshëm, nuk është zgjidhje, por riciklim i të keqes”, nënvizoi ndër radhë Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë