Menaxhim

Rregullat e tenderit të ndërtimit të tunelit të Llogorasë

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka dhënë më tepër detaje për operatorët ekonomikë të interesuar për tenderin  e ndërtimit të tunelit të Llogorasë.

Në një shkresë publike MIE informoi se të interesuarit nga jashtë duhet të konvertojnë licensën dhe çdo dokument në gjuhën e tyre të origjinës, për çdo shkallë pune.

Ministria sqaroi edhe proceset për operatorët në joint-venture, bashkim shoqërish.

Oferta duhet të specifikojë pjesën e shërbimit, punës ose furnizimit, që do të kryhet nga secili prej anëtarëve që janë pjesë e këtij bashkimi përmes një kontrate bashkëpunimi të lidhur midis palëve.

Anëtarët e bashkimit të operatorëve ekonomikë caktojnë, në kontratën e bashkëpunimit të lidhur midis tyre, përfaqësuesin për paraqitjen e ofertës. Kjo kontratë bashkëpunimi duhet të paraqitet së bashku me kualifikimet dhe ofertën ekonomike, që duhet të nënshkruhen nga përfaqësuesi. Përfaqësuesi gjithashtu duhet të sigurojë ofertën duke specifikuar pjesëmarrje në bashkimin e operatorëve ekonomikë.

Secili prej anëtarëve të këtij bashkimi duhet të plotësojë kërkesat, të cilat përcaktohen në Nenin 76 të Ligjit të Prokurimit Publik, dhe ato të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Kërkesat e kualifikimit përfshirë ato ekonomike, financiare, profesionale dhe teknike duhet të plotësohen nga i gjithë bashkimi, në përputhje me përqindjen dhe / ose natyrën e pjesëmarrjes në punë, shërbim ose mallra, siç përcaktohet në marrëveshje.

Nëse operatorët ekonomikë, anëtarë të një bashkimi, kanë të njëjtën përqindje të pjesëmarrjes në këtë bashkim, ata do të vendosin mbi marrëveshjen në kontratën e bashkëpunimit se cili prej tyre do plotësojnë këtë kusht.

Operatori ekonomik, anëtar i një bashkimi kompanish, nuk mund të paraqesë oferta individuale në të njëjtën kohë. Nëse bashkimi i operatorëve ekonomikë ndryshon pas paraqitjes së ofertës, kjo e fundit do të refuzohet.

Para lidhjes së kontratës, autoriteti kontraktues ose subjekti mund të të kërkojë krijimin zyrtar të bashkimit të operatorëve ekonomikë me marrëveshje të noterizuar. Nëse bashkimi i operatorëve ekonomikë shpallet si fitues, kontrata duhet të nënshkruhet nga secili prej anëtarëve të këtij bashkimi.

Në rast falimentimi të njërit prej anëtarëve të bashkimit të operatorëve ekonomikë ose në një rrethanë tjetër që i jap fund aktivitetit gjatë ekzekutimit të kontratës autoriteti kontraktor apo etniteti përgjegjës mund të vazhdojë kontratën me operatorë të tjerë, anëtarë të bashkimit me kusht që anëtari të gëzojë aftësi juridike, ekonomike, financiare dhe teknike për të ekzekutuar kontratën. Përndryshe, autoriteti / entiteti kontraktues do të mbyllë kontratën” thuhet në publikimin e MIE.

Fondi limit është 18.9 miliardë lekë (pa TVSH), ose rreth 153 milionë euro dhe ndërtimi duhet të përfundojnë për 37 muaj pas nënshkrimit të kontratës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë