Një trazirë e pështirë ka kapluar gjithë fermën… kafshët dalin mu në qendër të skenës e janë sy e vesh te majori plak, demagogu që do t’u japë kafshëve të tjera mesazhin që quhet “Revolucion”.
– Jeta mbi tokë është e trishtuar dhe rraskapitëse. Asnjë kafshë nuk është e lirë, jeta e kafshës përmblidhet në dy fjalë mjerim dhe skllavëri, jemi të vjedhur nga ai që drejton, nga njeriu… – thotë demagogu.
Nën këto fjalë nis shfaqja “Ferma e Kafshëve”, alegoria më e famshme politike nën regjinë e Driada Dervishit, premierë e Teatrit Kombëtar që i hapi dyert këtë herë në natyrë, pranë teatrit veror të liqenit.
Fabula nis e rrotullohet në një fermë ku kafshët ndihen të shtypura dhe mundohen të ngrenë krye, por ata fatkeqësisht nuk mund të dalin dot nga zgjedha.
Gjatë rrëzimit të pronarit të tyre, 10 kafshët nëpërmjet satirës therëse mundohen të mishërojnë mesazhe dhe të sjellin një panoramë të diktaturës. Ndërkohë, e gjithë shfaqja shoqërohet nga metafora e shallit të kuq komunist si dhe fishkëllima e kamzhikut të dhunës, pa lënë pas edhe punën në aksion.
Paralelisht me historinë dhe intrigat që vijojnë të gjata dhe pritet që rendi të ndryshojë, muzika e Bojken Lakos risjell marshet revolucionare si himne të shpresave e dështimeve.
Në përballjen kryesore janë aktorët Hervin Çuli dhe Neritan Liçaj. Dueli i derrit të zi Neritan Liçaj në rolin e Napoleonit dhe Hervin Culin si demagog, siç rëndom janë ata që kanë pushtet, ishte një përballje që pasqyronte dy anë të ndryshme të medaljes.
Aktori Neritan Liçaj që interpreton Napoleonin, thotë se për fat të keq historikisht masat nënshtrohen.
“Gjithmonë mbi të drejtat njerëzore abuzohet. Ndërrimet e mëdha dhe revolucionet i përdorin thjesht për të instaluar pushtetin e tyre, dhe ne si shoqëri kemi pasur raste të tilla kur kemi ra shpeshherë në diktatura pikërisht nga fakti që masat thjesht nënshtrohen dhe nuk luftojnë për të drejtat e tyre. Napoleoni është pikërisht një nga ata, derri i zi sipas Orwellit, i cili kristalizon shprehjen e famshme që revolucionin e fillojnë idealistët dhe përfitojnë maskarenjtë”, thotë Liçaj për Gazetën Si.
Sipas aktorit, roli i Napolonit është diktatori që u ngjan të gjithëve pa i imituar ata.
“Të gjithë diktatorët karakteristikat i kanë të njëjta, të tillë kemi pasur në Shqipëri, siç ka pas edhe bota, pra, është një diktator shqiptar, sovjetik, gjerman, shtyllën kurrizore e kanë të njëjtë”, vijon më tej Licaj.
Shfaqja vjen shumë aktuale edhe për vendin tonë, për të na sjellë në vëmendje se abuzuesit me pushtetin mund të jenë të gjithë, ndaj paralelizmat me politikanët shqiptarë ishin të kuptueshme.
-“Nuk ke parë gjë akoma. Ja iku njeriu, kush do vijë? Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk keni parë”, thonë kafshët, që në thelb është njeriu i përafruar me instinktin kafshëror, ndërsa mundohen që nëpërmjet humorit e satirës t’i japin mesazhet e forta publikut shqiptar.
“Ferma e kafshëve’ ka në qendër një raport shumë të rëndësishëm që është ai i një individi me pushtetin, korrupsionin që vjen si pasojë e pushtetit absolut. Mendoj që është aktuale sepse ajo i flet çdo kohe, edhe atyre moderne të cilët ne jemi koshientë që nëse nuk jemi shumë të vëmendshëm rrezikojmë të kthehen në diktatura moderne. Jam përpjekur që të jap një përshtatje të mirëmenduar pikërisht të një kohe që lidhet shumë me 50 vitet e diktaturës, mendoj që ka ardhur momenti që brezi im dhe ata që vijnë pas të flasin, në mënyrë që historia të mos përsëritet”, thotë regjisorja Driada Dervishi për Gazetën “Si”.
Përtej mesazhit, regjisorja thotë për Gazetën “Si” se me këtë shfaqje ka dashur të ngrejë pyetjen: “a është një utopi që njerëzit mund të jenë të gjithë të barabartë? Apo gjithmonë do të ketë disa që janë përherë më të barabartë se të tjerët”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









