Ngjarje

E çoi të miturin për të lypur në Sarandë, 50-vjeçarja: S’kisha qëllim të keq, u miqësua me nipin

Bukuroshe Muharremi, 50-vjeçarja e arrestuar pak ditë më parë me akuzën e rrëmbimit të një 12-vjeçari, i cili dyshohet se po shfrytëzohej për të lypur në Sarandë, është lënë në burg.

Para trupit gjykues, ajo ka deklaruar se i mituri ishte prezantuar si jetim dhe se ishte miqësuar me nipin e saj, me të cilin ishte njohur në Tiranë.

Ajo është shprehur se nuk e ka vlerësuar nëse duhet të njoftonte policinë, duke mohuar qëllimin ta shfrytëzonte të miturin.

“Ai është njohur me nipin tim në të njëjtën moshë, në rrethinat e sheshit ‘Skënderbej’, aty kanë lëvizur nga sheshi tek Liqeni Artificial. Kanë qëndruar dhe luajtur bashkë aty. Natën e kanë kaluar në lulishte pranë sheshit Skënderbej, – ka treguar 50-vjeçarja. – Fëmija u prezantua, që nuk ka prindër dhe rri në rrugë. Ngaqë u miqësua me nipin tim nuk donte, të largohej nga ne”.

Gruaja thotë se kishte blerë mallra për t’i shitur në Sarandë dhe se po bëhej gati të largohej.

“I mituri nuk ndahej nga nipi dhe mua dhe erdhi me ne. Në Sarandë, rrimë tek lulishtja në Parkun Miqësia, aty kalojmë natën”, – vijon ajo.  

Me justifikimin se nuk e kishte vlerësuar “se duhet të njoftoja policinë”, Muharremi thekson se djalin “nuk e kam marrë me qëllim të keq apo për ta shfrytëzuar”. “Fëmija rrinte nëpër rrugë i vetmuar”, ka deklaruar ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë