Ngjarje

Aksidenti tragjik i dy vajzave, 4 vite burg për drejtuesin e dehur në timon

Behar Pema është dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Tiranës, pasi përplasi makinën ku udhëtonin 4 vajza nga Shkodra, 2 prej të cilave humbën jetën. Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e 13 shtatorit në tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Drejtuesi i “Benz”-it, Behar Pema, i cili goditi nga pas makinën ku po udhëtonin katër vajzat, ishte me shpejtësi 160 km në orë dhe dyshohet se ai nuk ka frenuar në momentin e aksidentit.

Goditja nga pas ishte aq e fortë saqë dalja e tunelit ishte mbuluar nga pluhuri e tymi në formë mjegulle.

Sipas dëshmive të vajzave të mbijetuara, drejtuesi po kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe përfundoi duke i goditur ato nga mbrapa me shpejtësi tepër të lartë.

Testi i alkoolit dhe veprimet e grupit hetimor, e nxorrën 58-vjeçarin si personin përgjegjës që shkaktoi aksidentin e rëndë me dy viktima.

Katër vajzat po shkonin drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Lusindës, por kjo festë u kthye në tragjedi.

Lusinda Garunja, 19 vjeçe dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeçe humbën jetën, ndërsa Denisa Dibra 26 vjeçe dhe Nervida Garunja 19 vjeçe përfunduan në spitalin e Traumës, duke e fituar luftën me vdekjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë