Treg

Pandemia uli prodhimin e qumështit dhe të nënprodukteve

Kufizimet që solli pandemia e COVID-19 gjatë vitit të shkuar ndikuan negativisht edhe në sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë tonë, duke pësuar rënie me 14,80%, krahasuar me vitin 2019.

“Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 101 mijë tonë, duke pësuar rënie me 18,45%, krahasuar me 2019. Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2020 është rreth 10 mijë tonë, duke shënuar rritje me 3,07%, krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 7 mijë tonë, duke shënuar rritje me 37,03%, krahasuar me vitin 2019”, thuhet në raportin e INSTAT.

Gjithashtu raporti shton se sasia e qumështit të prodhuar për konsum, është rreth 17 mijë tonë, duke pësuar një rënie me 4,72%, krahasuar me 2019.

“Struktura e qumështit të prodhuar paraqitet si më poshtë: qumështi i plotë i përpunuar 82,27%, qumështi gjysmë i skremuar 16,09%, qumështi i papërpunuar 1,42% dhe qumështi i skremuar 0,22%”, thekson INSTAT.

Në vitin e pandemisë rënie kanë pësuar edhe nënproduktet e qumështit.

“Sasia e prodhuar e djathit sipas llojit të qumështit pësoi rënie me 13,82% dhe sasia e prodhuar e gjalpit pësoi rënie me 6,03%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, rritje me 2,48% shënoi sasia e prodhuar e djathit të përpunuar (djathë i shkrirë), krahasuar me një vit më parë”, vlerëson INSTAT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë