Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rritje me 1.6 pikë gjatë qershorit, krahasuar me muajin maj. Në rritjen e këtij treguesi kontribuoi rritja e besimit në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë dhe pak nga besimi konsumator.
Besimi në sektorin e industrisë shënoi rënie, kur një muaj më parë po ecte në ritme pozitive, ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit mbeti në të njëjtin nivel.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u rrit me 4.1 pikë përqindje në muajin qershor krahasuar me muajin maj. Kjo rritje u ndikua nga niveli i lartë i kërkesës dhe ecurinë pozitive të bizneseve, duke kaluar mesataren e BSH-së.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në shërbime shënoi vlerën 75.4% për tremujorin e dytë të vitit, rreth 2.4% më e lartë se një tremujor më parë. Përmirësim të konsiderueshëm pati edhe gjendja financiare e bizneseve në këtë sektor.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) u rrit me 2.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, duke vijuar të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Ky nivel u ndikua nga ecuria pozitive e biznesit dhe nivelin e punësimit.
Shfrytëzimi i kapaciteteve në tregti arriti në vlerën e 74.6% për tremujorin e dytë të vitit, rreth 0.9% më e lartë se një tremujor më parë.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit me 0.4 pikë përqindje në muajin qershor, duke vijuar trendin e muajve të fundit, ndonëse në një masë më të vogël. Rritja u ndikua nga pritshmëritë pozitive për situatën e përgjithshme ekonomike, përmirësimin e financave dhe blerjet në shuma të mëdha. Element që ka shënuar rënie nga maji në qershor.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 2.1 pikë përqindje krahasuar me muajin maj, por nuk ra nën mesataren e vendosur nga BSH. Sipas analizës, kjo ndodhi nga rënia e numrit të kontratave eksportuese dhe importuese të prodhimit aktual.
Kapacitetet në këtë sektor u shfrytëzuan në vlerën e 75.9%, në nisje të tremujorit të dytë, me 1.4% rritje nga i pari. Gjithashtu, treguesi i gjendjes financiare të bizneseve industriale raportohet me përmirësim.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) për muajin qershor rezulton pothuajse në të njëjtat nivele me majin. Aktiviteti ndërtues raportohet në rënie nga bizneset, por porositë janë në rritje, krahasuar me muajin paraardhës. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim shënoi vlerën 66.7% për tremujorin e dytë të vitit, rreth 3% më e lartë se një tremujor më parë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.