Art dhe Kulture

Ndahet nga jeta poeti dhe skenaristi Petrit Ruka

Ndahet nga jeta në moshën 67-vjeçare poeti dhe skenaristi Petrit Ruka, i cili i ka dhënë artit shqiptar mbi 10 vëllime poetike dhe disa ide të skalitura në kinematografi.

Ruka u nda këtë të martë nga jeta pas një beteje njëvjeçare me një sëmundje të rëndë.

Lajmin e kanë konfirmuar miq dhe të afërm të tij në rrjetet sociale.

“Ndahet nga jeta Petrit Ruka pas një sëmundje të pashërueshme, Petriti ky tepelenas i shquar na la një boshllëk të madh në gjithë Labërinë e më tej, poet, publicist, skenograf i shquar një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe, një patrioti i devotshëm. Lamtumirë o njeri i mirë, do kujtohesh përherë nga të gjithë, për veprën e madhe që le. Varrimi është sot në Tiranë, 06/07/2021 në orën 13.00 në Tufinë”, shkruajnë miqtë në faqen “Rreth i Tepelenës”.

Petrit Ruka u bë i njohur qysh me vëllimin poetik “Atdheu fillon tek zemra”, i cili mori çmimin kombëtar në vitin 1983. Prej atëherë ai ka botuar mbi 10 vëllime të tjera me poezi dhe disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi. Ai ka zënë vendin e vet në letërsinë shqiptare si një nga poetët më të mirë të saj.

Me largimin e tij nga jeta, letërsia shqiptare humbet një nga burimet e mëdha të saj, që vazhdonte të mbante gjallë poezinë shqipe.

Ruka ka një kontribut të madh edhe në kinematografi. Ai rrëmben çmimin e parë për skenarin e filmit “I vdekuri i gjallë” në Festivalin e 10-të Kombëtar Kinematografik në vitin 1993, Çmimi i parë për kamerën në filmin artistik “Plumbi prej plasteline” në Festivalin Kombëtar Kinematografik të vitit 1995. Ruka dallohet edhe në zhanrin e reportazheve dhe dokumentarëve dhe fiton Çmimi “Dokumentari më i mirë i Jubileut 2012” për filmin dokumentar “Kryekënga e Kombit” në vitin 2012, Çmimi i Akademisë KULT për dokumentarin më të mirë të viti 2012 për filmin “Kryekënga e Kombit” viti 2013, Çmimin poeti më i mirë i viti 2013 nga Fondacioni letrar “Harpa” Fier, Çmimi i parë poetik në Manifestimin poetik të Pejës, 2015.

Petrit Ruka ka lindur në Tepelenë më 1954. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe studimet pasuniversitare pёr Dramaturgji filmike, Akademia e Arteve të Bukura, Tiranё 1985-86. Ka punuar si pedagog nё Shkollёn e Mesme tё Pёrgjithshme në Tepelenё, 1976-1984.

Ka qenë skenarist dhe regjisor në Kinostudion “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio, 1986-96;

Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000-2005, 2007-2008 Pedagog i jashtëm, Universiteti i Arteve, Dega e Regjisë së Filmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë