Njerez

Jeff Bezos, gjeniu kontravers largohet nga drejtimi i Amazon

Në 2004, Jeff Bezos dhe këshilltari i tij teknik Colin Bryar udhëtuan së bashku në qytetin e Tacoma, një orë në jug të Seattle në shtetin Uashingtonit. Në atë kohë Amazon ishte një kompani që qarkullonte miliarda dollarë. Ata iu drejtuan qendrës së shërbimeve të klientit ku do të kalonin dy ditë si agjentë të shërbimit.

“Jeff po i priste vetë telefonatat e klientëve dhe një ankesë për një produkt përsëritej vazhdimisht. U nevrikos!”, kujton Bryar.

Ai ishte zemëruar sepse dukej qartazi që kishte diçka që nuk shkonte me atë produkt dhe nuk dëshironte që ky problem të bëhej edhe më shumë masive. Për këtë arsye, po atë ditë dërgoi një email të gjitha degëve të kompanisë duke u kërkuar mënyra më efikase për të identifikuar produktet defektoze.

Sot, Jeff Bezos largohet nga drejtimi i Amazon, fiks 27 vite pasi e themeloi atë. Që prej asaj kohe është autor i një sërë parimesh të pazakonta udhëheqëse, që shumë besojnë se janë baza e suksesit të tij po të pazakontë, e shumë besojnë se përfaqësojnë gjithçka që është e gabuar për kompanitë “Big Tech”.

Kushdo që ka punuar ndonjëherë te Amazon, edhe punonjësi më i thjeshtë në zyrën më të vogël të kompanisë është bombarduar vazhdimisht me atë që brenda strukturave të Amazon quhet si “fiksimi i klientit”, parimi që Bezos nguliti te çdo punonjës për të dëgjuar dhe sqaruar çdo klient, edhe kur ai e ka gabim.

Ambicia e Jeff Bezos kaloi përmes këtij “fiksimi” dhe bashkë me të mbërritën edhe fitimet marramendëse që e ngjitën në majën e njerëzve më të pasur në botë, fundja, që një kompani të ishte e suksesshme duhej që me patjetër të kishte klientë të lumtur me çdo kusht.

Nadia Shouraboura e nisi punën për Amazon që në 2004. Sot është pjesë e asaj që njihet si “S-team” e menaxherëve kryesorë të kompanisë që përbën bordin më të lartë menaxherial. Por, kur filloi për herë të parë punën, ajo mendoi se do të pushohej menjëherë.

“Bëra gabimin më të madh të jetës time gjatë pikut shitjeve të Krishtlindjes”, thota ajo. “Gabimi” ishte se i kishte shkuar në zyrë Jeff Bezos me një propozim se si të reduktonte humbjet financiare në logjistikën e transportit dhe të ruajtjes së mallrave. Por, themeluesi i Amazon e kishte shpërfillur këtë propozim.

“Rregulloni njëherë problemin që kemi me klientët dhe hajde pas disa javësh e më trego koston e kësaj ideje”, tregon ajo si përgjigje që kishte marrë.

Megjithatë, jo gjithçka ka qenë fushë me lule. Bezos ka shumë kritikë. Muajin e kaluar, një artikull nga ProPublica pohoi se kishte parë deklaratat e taksave të Bezos dhe pretendonte se ai nuk kishte paguar asnjë taksë në vitin 2007 dhe 2011, pavarësisht se ishte në listën e njerëzve më të pasur të botës.

Histori të tjera për shfrytëzimin e punonjësve, për sjellje monopol në treg gjithashtu nuk kanë ndihmuar në reputacionin e Bezos. Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i hedhin poshtë të gjitha akuzat se është arrogant e egoist.

Për ta ai është një vizionar, një njeri me fokus të veçantë, i cili ka krijuar një filozofi legjendare të punës dhe një kompani me vlerë gati 1.8 triliardë dollarë.

Bezos pëlqen punën me ekipe të vogla. Ai ka një rregull për t’i mbajtur takimet produktive; në to nuk duhet të marrin pjesë më shumë persona nga sa mund të ushqejnë dy pica, urren prezantimet në PowerPoint dhe preferon që projektet të jenë të shkruara me dorë.

Pyet drejtuesit se si ndjehen brenda kompanisë, shpesh me pyetje provokuese për të kuptuar nëse ndonjëri prej tyre e ndjen veten më superior se të tjerët dhe e tregojnë këmbëngulës në idetë që ka.

“Gjithçka është shumë e hapur dhe bisedat shpesh nxehen dhe janë shumë pasionante. Por gjithmonë ka të bëjë me temën asnjëherë kundër personit”, tregon Nadia Shouraboura.

Mes 14 parimeve kryesore që Jeff Bezos u ngulit bashkëpunëtorëve të tij është që në çdo rast të përpiqen që të kundërshtojnë, pa droje e frikë se mund të shkarkohen nga puna.

Megjithatë, janë hedhur dyshime se sa zbatohet ky parim në zinxhirin e poshtëm të punonjësve të kompanisë. Në vitin 2015, New York Times publikoi një artikull me akuza për shfrytëzim të punonjësve, shkelje të orareve të punës dhe vendosjen e tyre përballë zgjedhjes “merre ose lëre”.

Bezos është adhurues i inxhinierisë, shpikjeve, makinerive. Ai është i fiksuar pas perfeksionizmi dhe vëzhgimit konstant të punonjësve, nuk është një tipar i keq, por kritikët thonë se fiksimi ka kosto njerëzore, veçanërisht në depot e shumta të Amazon.

Gjatë përpjekjes së dështuar të punëtorëve të Amazonës në Bessemer, Alabama, për të formuar një sindikatë, ata thanë se nuk ndjeheshin më si individë, por si robotë dhe pjesë e vogël e një ingranazhi të madh, që mbikëqyreshin vazhdimisht.

Në nivele më të larta, stili i menaxhimit të Bezos duket krejtësisht ndryshe. Ai pëlqen që ekipet e tij të kenë autonomi, gjë që ai beson se nxit inovacionin. Shërbimet e Web të Amazon (AWS), shërbimi jashtëzakonisht i suksesshëm i informatikës së re, në pamje të parë nuk kishte të bënte shumë me biznesin kryesor të Amazon: tregtinë elektronike.

Sidoqoftë Bezos e mbështeti idenë, duke i dhënë punonjësit të tij të besuar Andy Jassy lirinë dhe kapitalin për të ngritur një kompani brenda një kompanie. Bezos e sheh Jassy si një sipërmarrës, jo vetëm një menaxher, një pjesë kryesore pse ai do të marrë detyrën si pasardhës i tij.

“Është e lehtë të jesh i guximshëm kur je fillestar, ndërsa rritesh, bëhet gjithnjë e më e vështirë të jesh i guximshëm, sepse tani po rrezikon më shumë. Jassy është gjithmonë shumë i guximshëm”, vlerëson Nadia Shouraboura.

Bashkëpunëtorët tregojnë se Bezos pëlqen që gjërat t’i thuhen në anë të kundërt, sidomos projektet që i paraqiten për miratim. Ato gjithmonë duhet të nisin me idenë se çfarë i sjellin kompanisë dhe më pas të shtjellojnë pjesët e tjera përbërëse nëse duan që të kenë sukses e të miratohen.

Ëndrra tjetër e Bezos, për të cilën themeloi edhe “Blue Origin” është që të udhëtojë në hapësirë dhe gjatë këtij muaji do ta bëjë atë realitet.

Një peticion për të mos e lejuar atë që të rikthehet në Tokë ka mbledhur gati 150,000 nënshkrime, “normale” për një person kaq të suksesshëm si ai.

Burimi: BBC – Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë