Një tragjedi brenda tragjedisë ka godiur një nga zjarrfikësit, i cili ka punuar për ditë me radhë në përpjekje për të gjetur mes rrënojave 126 njerëzit ende të zhdukur nën mbetjet e godinës së shembur në Surfside, në veri të Majemit.
Mes 22 viktimave të konfirmuara, trupi i vajzës së tij 7-vjeçare u nxor nga rrënojat natën midis të enjtes dhe të premtes. Në të njëjtën mbrëmje, një trup tjetër që ende nuk ishte identifikuar publikisht u gjet gjithashtu.
Burri nuk ishte i pranishëm në vendin e saktë të gjetjes, por sipas kapitenit të Brigadës së zjarrfikësve në Majemi, Ignatius Carroll, “kur u informua se ishim afër vendit ku mund të ishte vajza e tij, ai qëndroi krah për krah me disa kolegë”.
Babai-zjarrfikës u shoqërua afër trupit të vajzës së vogël dhe ishte ai që e nxori nga zona, duke e mbështjellë me xhaketën e tij të shërbimit dhe duke vendosur një flamur të Shteteve të Bashkuara në gjoksin e saj. Në ndërkohë, kolegët e tij, formuan dy rreshta nderi për t’i dhënë asaj lamtumirën e fundit, pa mundur të mbajnë lotët.
“Kur nxjerrim një kufomë, ne kemi ritualin tonë për t’u bërë homazhe viktimave, – tha Shefi i Zjarrfikësve të Qarkut Miami-Dade, Alan Cominsky, – diçka që na bashkon pavarësisht nga fakti se secili prej nesh ka besime të ndryshme fetare”.
Edhe kryebashkiakja e kontesë, Daniella Levine Cava, shprehu ngushëllimet e saj për atë që ndodhi: “Çdo natë që nga shembja ka qenë shumë e vështirë këtu, por nuk mund të mohojmë që ky episod të jetë edhe më i vështirë”.
Sipas rindërtimit të mediave lokale, Stella Cattarossi, emri i viktimës 7-vjeçare, jetonte me nënën e saj dhe gjyshërit nga nëna në ndërtesën që u shemb.
Në kohën e shembjes, dy xhaxhallarët që e vizituan nga Argjentina ishin gjithashtu brenda ndërtesës. Ky është fëmija i tretë i nxjerrë nga rrënojat, pas motrave Emnma dhe Lucia Guara, përkatësisht 4 dhe 11 vjeç.
Ndërkohë, kërkimet për 121 personat e zhdukur të shkaktuar nga shembja e një krahu të godinës Surfside në Florida, janë pezulluar për të lejuar prishjen e pjesës tjetër të ndërtesës me një shpërthim të kontrolluar.
Prishja e asaj që mbetet në Champlain Toëers South, në veri të Majemi, është parashikuar në pritje të mbërritjes së stuhisë tropikale “Elsa”, e cila pritet të godasë bregun perëndimor të Florida të martën.
Kryebashkiaku i Surfside, Charles Burkett, shpjegoi se erërat e forta mund të shkaktojnë dëme të mëtejshme në objekt, duke vënë në rrezik jetën e anëtarëve të ekipit të shpëtimit. Prishja mund të fillojë sot dhe duhet të përfundojë brenda disa ditësh. Deri më tani vdekjet e konfirmuara nga shembja në 24 qershor, janë 24 dhe asnjë i mbijetuar nuk është gjetur në rrënoja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)














