Tre Komisionerë të Bashkimit Europian u kanë bërë thirrje vendeve anëtare që t'u përmbahen premtimeve të tyre për të zbatuar pa kufizime udhëtimi certifikatën e COVID-19, që do të nisë zyrtarisht në 1 korrik.
Sidoqoftë, varianti i ri Delta vë në dyshime zbatimin e skemës së miratuar pasi kufizimet e reja të udhëtimit janë vendosur pas kësaj vendimmarrje nga frika e përhapjes së mutacionit të virusit, që vlerësohet si më agresiv dhe rezistent ndaj të gjitha llojeve të vaksinave.
Në një letër të parë nga EURACTIV, Komisionerët Didier Reynders, Thierry Breton dhe Stella Kyriakides bëjnë thirrje për një qasje të koordinuar dhe kujtojnë vendet anëtare të BE-së se ata ranë dakord mbi kushtet në të cilat personat plotësisht të vaksinuar, apo të shëruar në posedim të një certifikate digjitale të COVID të BE "duhet të përjashtohen nga testimi dhe karantina që lidhen me udhëtimet ”.
"Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh nevojën për të qëndruar vigjilent në lidhje me variantet e reja, rekomandimi i Këshillit parashikon gjithashtu që të mos ketë ngutje në marrjen e vendimeve emergjente, por duke lejuar një shtet anëtar të rivendosë përjashtimisht dhe përkohësisht masa të caktuara", lexon letra.
Parashikimi i masave emergjente ishte debati kryesor gjatë negociatave mbi miratimin e certifikatës së sigurisë COVID-19.
Gjermania dhe Franca e kërkuan me ngulm këtë mekanizëm në mënyrë që të jepnin dritën e tyre të gjelbër për certifikatën. Të dyja vendet ishin skeptike ndaj idesë, që kur ajo u hodh si propozim fillimisht nga Greqia.
"Ne ju inkurajojmë fuqimisht që të zbatoni rekomandimin e Këshillit sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht për përjashtimet për personat plotësisht të vaksinuar dhe të rikuperuar, për të siguruar unitetin në udhëtim të familjeve dhe masat që bazohen sipas vendeve të caktuara në bazë të hartës së përditësuar çdo javë nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve”, thonë Komisionerët.
Sidoqoftë, realiteti në terren është pak më ndryshe.
Pak ditë më parë, Gjermania vendosi një karantinë të detyrueshme 14-ditore për udhëtarët e kthyer nga Portugalia, edhe nëse ata janë plotësisht të vaksinuar, apo e kanë kaluar virusin. Masa u justifikua me arsyetimin se ky vend ishte goditur fort nga varianti Delta.
BE vlerëson se varianti Delta do të mbizotërojë rastet e reja në Europë deri në fund të muajit gusht dhe pika kryesore e shqetësimit janë turistët britanikë, sepse varianti tashmë është mbizotërues në Britaninë e Madhe.
Kritikët sugjerojnë që jugu i Europës i varur fort nga është në një udhëkryq të madh mes pranimit të turistëve britanikë, që përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të këtij sektori, apo ndalimin e tyre.
Italia, Spanja dhe Greqia duan që të shmangen masa të ngjashme kufizuese si Gjermania, sepse në rast se ndodh atëherë certifikata e sigurisë Covid-19 nuk do të pijë më ujë. Portugalia, Spanja dhe Malta tashmë kanë vendosur kufizime të udhëtimit për qytetarët britanikë, pavarësisht nëse janë apo jo të vaksinuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.