Art dhe Kulture

Kryevepra e mjeshtrit francez Fragonard shitet për 7 mln euro

Një pikturë e harruar dhe e mbuluar nga pluhuri, që ndodhej prej gjeneratash në një familje franceze, dhe që për ato kishte thjesht vlerë afektive, u zbulua si një nga kryeveprat më të rëndësishme të zbuluara të artit francez dhe është shitur për një shifër marramendëse.

Bëhet fjalë për pikturën e quajtur “Filozofi lexues” i mjeshtrit francez, Jean-Honoré Fragonard, e pikturuar rreth vitit 1768.

Piktura u zbulua rastësisht nga një ekspert ankandesh që duhet të vlerësonte sendet e një apartamenti në qytetin e Eparnay dhe familja as nuk e kishte renditur te sendet me vlerë.

Por dyshimet e profesionistit rezultuan fatlume dhe analiza specifike zyrtarizoi zbulimin e madh.

Fragonard cilësohet si nga mjeshtrit e stilit Rococo dhe veprat e tij më të njohura, të pikturuara si në një ëndërr dhe me tematika erotike, ndodhen në muzetë më të njohur të botës.

Vepra e filozofit është nga veprat e fundit të piktorit, dhe tregon periudhën më meditative edhe pse “energjia e penelit të tij është njëjta”, sipas kritikëve.

Fillimisht piktura mendohej të shitej për rreth 1.5 milion euro, por interesi ishte tejet i madh dhe piktura arriti shifrën e 7.8 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë