Biznes

Holanda, investitori kryesor i huaj në Shqipëri për tremujorin e parë

Holanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri edhe për tremujorin e parë të këtij viti ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë (BSH) investimet holandeze kishin vlerën e 40 milionë eurove.

Por edhe pse ngelet investitori kryesor, flukset e këtyre investimeve janë ulur ndjeshëm  me 59% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë viteve të fundit, në Holandë janë regjistruar edhe kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme të PPP-ve në Shqipëri. Në këto raste, regjistrimi në Holandë ka si qëllim kryesisht fshehjen e aksionerëve apo përfituesve realë të këtyre kontratave.

Investitori i dytë më i madh për tremujorin e parë të këtij viti ishte Franca, me 34 milionë euro, pothuajse katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Shqipëri veprojnë disa kompani të rëndësishme me kapital francez, si ALEAT, Selenice Bitumi, por gjithashtu dhe disa sipërmarrje të investimit në energjinë e rinovueshme.

Investitori i tretë më i madh i huaj në tremujorin e parë ishte Italia, me një shumë totale prej 29 milionë eurosh, duke u rritur me  21% krahasuar me një vit më parë

Në rritje për tremujorin e parë rezultuan edhe investimet turke, që arritën vlerën e 23 milionë eurove ose 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipërmarrja turke në Shqipëri është e përqendruar kryesisht në disa kompani të mëdha të sektorëve strategjikë, si Banka Kombëtare Tregtare, Albtelecom apo Kurum.

Investimet austriake gjithashtu arritën vlerën 16 milionë euro, ndërsa investimet zviceriane pësuan rënie duke zbritur në vlerën e 15 milionë eurove,vlerë kjo sa një e treta e shënuar për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investimet zvicerane në vitet e fundit kanë qenë të lidhura kryesisht me gazsjellësin TAP dhe përfundimi i punimeve ka sjellë rënie graduale të tyre.

Për nga vlera totale e investimeve të matura si stok në fund të periudhës, Zvicra kryeson, me rreth 1.69 miliardë euro, e ndjekur nga Holanda me 1.47 miliardë euro dhe Kanadaja, me 1.16 miliardë euro. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë