Biznes

Dhoma Amerikane jep 40 sugjerime për përmirësimin e klimës së biznesit

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka publikuar sot “Axhendën e Investimeve 2021”, një paketë me 40 rekomandime drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Ri me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

Presidenti i AmCham, Enio Jaço, përmes një letre falënderimi vlerësoi kontributin e anëtarëve, në evidentimin e sfidave që pengojnë mënyrën e të bërit biznes.

Ai gjithashtu kërkoi që ato të vijojnë të përfshihen edhe në procesin e punës për kthimin e rekomandimeve në legjislacion konkret për Parlamentin e ri.

Rekomandimet në raport janë të organizuara në 8 themele përmirësimi të klimës së biznesit, duke parashikuar sfidat, zgjidhjet si dhe mundësitë e reja që krijohen.

Kjo axhendë synon një strategji bashkëkohore për tërheqjen e suksesshme të investimeve të huaja, të monituar nga nivelet më të larta në qeveri. Sipas saj, duhet të identifikohen sektorët më prioritarë dhe të krijohen  incentiva për zhvillimin e tyre, pa procedura burokratike.

Axhenda thekson se është shumë e rëndësishme  që për krijimin e besueshmërisë në publik të ketë një qëndrim pa asnjë lloj kompromisi kundër korrupsionit me sanksione reale ndaj abuzuesve si dhe një monitorim transparent i llogaridhënies.

Në këtë lloj mënyre, rekomandimet synojnë krijimin e një sistemi transparent, efektiv dhe pa ndalim politik tek Prokurimet Publike si dhe garantimin e Konsultimit Publik efektiv, gjithpërfshirës.

Gjithashtu ata synojnë rritje ekonomike duke adresuar elemente specifike të ekonomisë.

Modernizimi i sistemit të taksave konsiderohet vital për rritjen e konkurrencës dhe formalizimin e investimeve rajonale.

Eksportet shqiptare përfaqësojnë mundësi të reja në periudhën post pandemike, që nxit domosdoshmërinë e zhvillimit të ekonomisë digjitale.

Për të krijuar një sistem dinamik ekonomik kërkohen aftësi të reja në burime njerëzore për të cilat qeveria dhe sektori privat duhet të angazhohen bashkë në rritjen e shpejtë dhe të targetuar të aftësive të forcës punëtore.

Nëse këto rekomandime implementohen atëherë garantohet ndërtimi i një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon.

Dhoma Amerikane do të ofrojë asistencën e saj për të kthyer rekomandimet në legjislacion dhe njëkohësisht do të vijojë dialogun me palët politike dhe institucionale me nisjen e Sesionit të ri Parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë