Tre tematika të lidhura me turizmin do të mbështeten nga fondet e qeverisë për të gjithë ata që paraqesin projekte të vlefshme deri në 21 korrik 2021.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikon mbështetjen deri në 50% të vlerës së projektit për të gjithë ata që kalojnë fazën e vlerësimit ku në dispozicion për këtë mbështetje janë 35 milionë lekë.
Në njoftim shkruhet se kjo vjen në kushtet kur turizmi është sektori më i goditur nga pandemia.
“Qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, nisur edhe nga situata në të cilën ndodhet industria e turizmit për shkak të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga infeksioni COVID -19, nevojitet fokusim në promovimin e destinancioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore vendase, si dhe duke diversifikuar me modele inovative produktet turistike, duke zhvilluar modele të reja të funksionimit të aktiviteteve detare dhe menaxhimit të vijës bregdetare” shkruhet në dokumentin e ministrisë.
Në dokument gjithashtu theksohet se projektet do të ketë të paktën tre tematika ku e para ka të bëjë me promovimin e destinacioneve turistike e të vlerave të veçanta të produkteve dhe atraksioneve turistike.
Ministria sqaron se nën këtë tematikë ajo do të bashkëfinancojë projekte që do të synojnë zgjerimin e aktiviteteve dhe ofertave turistike, përfshirjen gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit të komuniteteve lokale dhe promovimin e produkteve turistike shqiptare.
Tematika e dytë ka të bëjë me krijimin, zhvillimin dhe përmirësimin e produkteve turistike specifike në përputhje me kërkesën gjithnjë në rritje për paketa inovative, që ofrojnë përvoja të pazakonta me surpriza dhe ide stimuluese, përveç shërbimeve bazë standarde.
Ministria do të bashkëfinancojë zhvillimin e produktit turistik gjatë gjithë vitit në lidhje me veprimtari të ndryshme turistike me tematikë gastronominë, zonat rurale, etnografinë, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore.
Ndërsa tematika e tretë ka të bëjë me përgatitjen e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




