Treg

Shqiptarët ulën konsumin e ushqimit, por rritën konsumin e hidrokarbureve

Indeksi i volumit të shitjeve me pakicë ka shënuar rritje me 3.6% në tremujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me atë të vitit 2020. Nga tremujori paraardhës, ku indeks ka rënë me 3.4%.

Rritja më e madhe ka ndodhur në grupin e tregtisë së  hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara, me rritje 11% në tremujorin e parë 2021 nga ai i parë i 2020-s.

Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara kanë patur rritje të volumit me 3.5% për të njëjtën periudhë.

Çfarë vihet re  është se grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit ka patur rënie me 1.9% nga periudha janar-mars 2020 në janar-mars 2021.

Në përshtatje sezonale, të gjithë grupet në indeksin e shitjeve me pakicë kanë patur rënie.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, ka pësuar rënie 3.0 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, ka pësuar rënie me 4.7 %.

Grupi “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, përshtatur sezonalisht, ka pësuar rritje me 4.9 %, kundrejt tremujorit të katërt 2020.

Në një analizë të thjeshtë mund të përmendim se një vit më parë në të njëjtën periudhë, Shqipëria u izolua tërësisht si masë e mospërhapjes së Covid-19 dhe qytetarët u dyndën drejt produkteve të konsumit dhe jo vetëm. Në një gjendje paniku në rast se do të përballeshin me mungesë produktesh në treg. Kështu, një vit më vonë kur situata duket më e stabilizuar, konsumi u rikthye në nivele normale dhe njerëzit nuk po blenë shumë gjëra në një kohë të shkurtër, duke shkaktuar rënie të volumit të shitjeve më pakicë në raport vjetor.

Nga ana tjetër, rritja e tregut të hidrokarbureve lidhet përsëri me pandeminë dhe izolimin, kur një vit më parë lëvizja ishte e ndaluar plotësisht dhe rrjedhimisht makinat nuk u përdorën. Një vit më vonë, në hapa drejt normalitetit, lëvizjet janë kufizuar vetëm për 7 orë, gjatë natës dhe gjatë ditë lëvizet normalisht. Duke shkaktuar rritje të shitjes se hidrokarbureve me shumicë.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë