Treg

Autoriteti i Konkurrencës hap hetime të thelluara për 10 kompani të plehrave kimike

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetime të thelluara për tregun e importit dhe shitjes së plehrave kimike.

Objekt hetimi do të jenë ndërmarrjet Arli Internacional, Agro Blend, MBM, Eco-Green, Lila, Agro-Mens, Çaça, IAM, Agrohelp-sa dhe Besniku.

Hetimi është pjesë e procedurës së nisur në muajin mars të këtij viti dhe do të mbyllen më 30 shtator të të njëjtit vit.

AK-ja ka marrë në analizë 3 produkte thelbësore për fermerët dhe kultivimin e bimëve. DAP (Hidrogjenortofosfat diamoni) përdoret gjatë plehërimit të tokës bujqësore kur mbillet bima. Ky produkt ka përdorim sezonal kryesisht në 6-mujorin e parë të vitit. Ndërkohë, Nitrati dhe Ureja përdoren gjatë rritjes së bimës, kryesisht gjatë gjithë vitit.

Nga analiza, sipas AK-së, këto produkte kanë patur rritje të çmimit mesatar në shumicë, gjatë 3 muajve të parë të vitit 2021. Sipas AK, kjo sjellje e ndërmarrjeve reflektohet në çmime më të larta përfundimtare të shitjes dhe mund të përbëjë një sjellje të bashkërenduar, në kuptim të nenit 4 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Në mars të vitit 2021, Komisioni i Konkurrencës mori masa për rivendosjen e konkurrencës në treg. Vendimi urdhëronte ndërmarrjet që operojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre, duke u sjellë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre tregtar të importeve të produkteve, caktimit të çmimit të shitjes ose ndarjes së tregut përkatës, si dhe përdorimit të të drejtave ekskluzive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë