Njerez

Nga lypja, abuzimi seksual në internet, minierat dhe bujqësia, si shfrytëzohen fëmijët në Shqipëri

Fëmijë që lypin apo pastrojnë xhama makinash, që punojnë në miniera dhe shfrytëzohen për punë nga më të ndryshmet e madje shfrytëzohen edhe seksualisht.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i fëmijëve, të cilët shfrytëzohen në punë, megjithatë llogariten se janë me qindra që përdoren për punë nga më të ndryshmet.

Ndërkohë llogaritet që 152 milion fëmijë në të gjithë botën shfrytëzohen në punë, që do të thotë të paktën 1 në çdo 10 fëmijë.

Por si paraqitet situata në Shqipëri dhe cilat janë punët, ku më së shumti janë të përfshirë fëmijët në vendin tonë?!

Sipas David Gvineria, specialist për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë UNICEF në Shqipëri, të dhënat e fundit në vend në lidhje me fenomenin e shfrytëzimit të fëmijëve vijnë nga viti 2014 kur sipas INSTAT numëroheshin 54 mijë fëmijë, të cilët shfrytëzoheshin në punë.

Ai vëren se në Shqipëri fëmijët shfrytëzohen së shumti në sektorë të tillë si bujqësia, puna në minierë apo shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë.

“Në Shqipëri, përveç sektorit të bujqësisë ne kemi të tjera sfera pune shumë shqetësuese, siç është puna në minierë në Bulqizë, krejtësisht e papërshtatshme për fëmijët, sepse së pari kjo punë dëmton së tepërmi shëndetin e tyre dhe mund të humbasin edhe jetën. Është një punë krejt e pakontrolluar dhe shfrytëzuese dhe në fund të ditës, fëmijët nuk rriten ashtu si çdo prind do ta pëlqente të rriteshin.

Fusha e tretë është gjithashtu shumë e njohur: shfrytëzimi me forcë i fëmijëve në rrugë. Ne e dimë shumë mirë, që në çdo kohë, në Tiranë, sheh fëmijë në rrugë, që pastrojnë makinat, lypin, mbledhin mbeturina. Shpesh ju i shihni bashkë me prindërit dhe kjo tregon që për fat të keq këta fëmijë nuk e bëjnë këtë punë sepse iu pëlqen apo kënaqen dhe është për zhvillimin e tyre, por ata po shfrytëzohen” vëren Gvineria.

Ai thekson se një tjetër fushë, e cila është më pak e përhapur në shkallë globale, por që është më e keqja, është shfrytëzimi seksual i fëmijëve për prodhimin e materialeve pornografike, një fushë, ku edhe fëmijët shqiptarë janë të rrezikuar.

“Në ditët e sotme, me zhvillimin e teknologjisë ka shfaqje ‘live’, ku fëmijët janë të zhveshur dhe performojnë akte të papërshtatshme dhe shumë njerëz paguajnë para, që të shohin këta fëmijë online.

Kjo është një nga format më të këqija të shfrytëzimit të fëmijëve dhe kjo është një nga gjërat që ne si UNICEF në Shqipëri jemi jashtëzakonisht të shqetësuar.  Këto janë kategoritë e ndryshme të punës. Përsa i përket kategorisë së fundit, nga studimet globale dhe origjjinale ne e dimë, që shumica e fëmijëve janë të angazhuar në këtë punë brenda ambientit familjar. Pra, shfrytëzimi fillon në shtëpi”,- komenton specialisti i UNICEF.

Ai thekson se abuzimi seksual i fëmijëve në internet në Shqipëri ka përmasa serioze, por mbetet i paadresuar.

“Shfrytëzimi seksual në botë, fatkeqësisht është në rritje. Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në veçanti dhe ka disa arsye për këtë. Një është që teknologjia në mbarë botën ka njohur një zhvillim të pabesueshëm: në shëndet, edukim, ekonomi, por gjithashtu ka sjellë edhe një rrugë të re edhe për kriminelët, që të bëjnë punën e tyre pa lëvizur fizikisht. Me teknologjinë dhe depërtimin e internetit ata organizojnë në të gjithë botën shfaqje pornografike, ku marrin pjesë fëmijët. Falë Zotit, Shqipëria nuk është ende një vend ku diçka e tillë ndodh rregullisht dhe në masë të gjerë, por është një zonë risku.”

Ai sjell në vëmendje dy raporte të para disa kohëve, që duhet të shërbejnë si kambanë alarmi për këtë çështje.

Domaini shqiptar “.al”, përdorim të madh për materiale pornografike me fëmijë

“Ne kemi dyshime sepse kemi tashmë dy informacione shumë domethënëse: I pari ka ardhur nga një organizatë italiane disa vjet më parë, e cila thoshte që domaini shqiptar në internet “. al ” është një nga më të lartët në Europë, që është përdorur për shpërndarje të materialeve pornografike me fëmijë.”, thotë Gvineria, ndërsa sjell në vëmendje prova të bëra publike nga organizata jofitimprurëse italiane “Meter Onlus”, që zhvillon veprimtarinë e saj kundër pedofilisë brenda dhe jashtë Italisë, në raportin e saj vjetor të vitit 2018 të botuar në internet, ku theksohet se domain-i shqiptar .al renditet i treti në Evropë dhe i teti në botë për përmbajtje të imazheve të turpshme të fëmijëve (IPF).

E njëjta gjë theksohet edhe në raportin “Çështjet e Humbura”, ku nxirret në pah serioziteti i problemit të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual në internet të fëmijëve në Shqipëri, duke shqyrtuar çështjet e referuara nga Policia e Shtetit (PSH), si dhe nga burime të tjera të inteligjencës. Shumësia e provave të evidentuara dëshmon se sa serioz është problemi, që ende ka mbetur i patrajtuar.

Mbi bazën e informacionit të mbledhur, vlerësimi vërejti se në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit bëhen 5,000 – 20,000 referime në vit nga partnerë ndërkombëtarë, si: Interpol-i, Europol-i dhe Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar lidhur me zotërimin, shpërndarjen, prodhimin dhe përdorimin e MASF-së në Shqipëri.

“Kjo është shumë alarmuese. Pse Shqipëria?! Shqipëria është një vend shumë i vogël.  Ka disa arsye për këtë. Mbase, monitorimi nuk ndodh aq shpesh sa duhet të ndodhë”, komenton specialist për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa vëren se një tjetër alarm ka ardhur vitin e shkuar, kur sërish, një tjetër organizatë me reputacion, që monitoron sigurinë e internetit për fëmijë, përmendte sërish domainin “.al” si një nga të parat në Europë dhe në botë, që përdorej për të shpërndarë dhe mbajtur produksione me materiale pornografike me fëmijë.

“Për t’u kthyer sërish në atë që thashë: teknologjia disa herë keqdrejton, që do të thotë, se mbase jo çdo gjë ndodh në territorin shqiptar, por fakti është që domaini shqiptar është përdorur për shpërndarje të këtyre materialeve pornografike”, shpjegon Gvineria. Ai vijon se nga ana tjetër është vështirë të identifikohet lehtësisht se cilat janë zonat e vendit, ku ndodh më së shumti ky fenomen.

“Teknologjia në fakt ka larguar kuptimin se pse kjo po ndodh. Ti mund të përdorësh disa lloje mjetesh ekzistuese që monitorojnë situatën dhe që mund të identifikojnë gjeografinë e gjerë, por nuk mund të tregojnë saktë nëse po ndodh në këtë rrugë apo në atë rrugë. Disa herë mbase ndodh në ndonjë fshat të vogël, por duke përdorur teknologji, kamera, internet konfuzon krejtësisht në lidhje me vendin se ku krimi është duke ndodhur.”

David Gvineria, specialist për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë UNICEF në Shqipëri

Prindërit “shfrytëzues” të fëmijëve

Sipas specialistit, në shumë raste janë vetë prindërit ata që i vendosin fëmijët e tyre në dhomën ngjitur me kamera ‘live’ të ndezur, i filmojnë dhe e shesin materialin pornografik për blerësit online.

“Ne kemi të dhëna për diçka të tillë, përshembull në Filipine. Prindërit thonë: Më mirë të kem fëmijën tim në derën ngjitur, ku e di që ai apo ajo është i sigurt dhe të paktën do të fitoj ca para për të ushqyer fëmijën tim, në vend që ta dërgoj fëmijën tim në bordello për prostitucion.

Nëse prindërit dhe fëmijët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme dhe mbrojtje sociale për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme për ushqim, strehim dhe shëndet, ata fatkeqësisht detyrohen të gjejnë zgjidhje si këto.”

Rritje e shfrytëzimi për shkak të COVID

“Në 2021 dhe në 2022 ne presim që rreth 10 milion më tepër fëmijë në të gjithë botën, të detyrohen të punojnë jashtë dëshirës së tyre. Covid hoqi në disa raste edhe disa mundësi sociale dhe ekonomike për prindërit e këtyre fëmijëve dhe anëtarët e familjeve të tyre”, komenton specialisti. Përsa i përket Shqipërisë, Gvineria sjell shembuj konkretë nga persona, të cilët janë ndikuar nga tërmeti i vitit 2019.

“Shumë prej tyre jetojnë akoma në strehëza të përkohshme në Manzë dhe në zona të tjera. Skuadrat tona të ndihmës janë në këto komunitete në të përditshmen e tyre dhe ajo që kemi parë është një rritje domethënëse e dhunës dhe rritje e angazhimit me forcë të fëmijëve në punë dhe shfrytëzim i tyre nga vetë prindërit.

Pse?!Sepse disa prindër dhe disa fëmijë, thjesht nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të fituar ushqimin e tyre të përditshëm dhe iu kërkojnë fëmijëve t’i ndihmojnë në forma shumë të papërshtatshme pune. Këto lloje punësh përfshijnë mbledhjen e mbetjeve, mbledhjen e metaleve, punën ilegale në miniera dhe të lypurin në rrugë.”

Kur quhet puna shfrytëzim?! Shqipëria dhe ligjet

Çdo lloj pune, e cila llogaritet se është e dëmshme për shëndetin fizik apo psikologjik të fëmijës dhe që cenon aftësinë dhe mundësitë e tij për edukim dhe arsim cilësohet si shfrytëzim. Ndërkohë që cilësohet ilegale kur orari i punës së fëmijëve e kalon masën e vendosur prej 21 orë në javë apo tre orë në ditë, nëse do të bëjmë një përllogaritje.

Sipas specialistit Gvineria, në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet europiane lindore, legjislacioni shpesh nuk është mjaftueshëm shpjegues për të gjithë situatën, ku puna e fëmijëve është problem.

“Ka arsye për këtë. Një arsye është se koncepti i një legjislacioni të ri modern është relativisht i ri dhe asnjë vend nuk mund të bëjë çdo gjë menjëherë. Kështu që merr kohë të përmirësishet lgjislacioni, qoftë edhe gradualisht.”

Një tjetër gjë është se çdo vend për shkak të situatës socio-ekonomike dhe për shkak të traditës, legjislacioni duhet të reflektojë realitetin e vendit dhe nuk duhet jetë i ngurtë.

“Legjislacioni nuk mund të merret nga jashtë, nga një tjetër kontinent dhe të vendoset në një realitet të ri. Në Shqipëri ka shumë raste, ku është normale që fëmijët ndihmojnë prindërit e tyre. Është normale, që në sektorin e bujqësisë përshembull, fëmijët ndihmojnë por gjithashtu edhe mësojnë, duke ndihmuar. Ndaj mendoj se një rregullore strikte mund të mos jetë qasja më e mirë, por ajo çfarë është më e rëndësishme është monitorimi. Ne vazhdojmë të themi se nuk mund të penalizoni verbërisht një familje, e cila po bën betejë me krizën ekonomike dhe iu kërkon fëmijëve ta ndihmojmë. Por ka diferencë të madhe ndërmjet asaj që familja dhe prindërit të dërgojnë fëmijën të punojë në minierë, që ta detyrojnë fëmijën të lypë, që prindërit të detyrojnë fëmijën të performojë akte pornografike seksuale, krahasuar me një nënë apo baba, që i kërkojnë fëmijës t’i ndihmojnë në shtëpi. Nëse ligji është mjaft i ngurtë mund të penalizojë situata të ndryshme në të njëjtën mënyrë.”

Sipas specialistit në Shqipëri, legjislacioni ka ende nevojë të përmirësohet dhe janë dy hapësira për përmirësim. E para ka të bëjë me inspektimet, të cilat duhet të bëhen rregullisht dhe mjaftueshëm në të gjithë zonat e riskut, ku mund të shfrytëzohen fëmijë dhe e dyta: inspektorët duhet të kenë më tepër njohuri “për të performuar nën shembujt më të mirë të vendeve evropiane.”

Është për t’u vërejtur edhe se shfrytëzimi i fëmijëve lidhet direkt me arsimimin dhe edukimin e tyre.

Fëmijët, të cilët kanë nevojë të jenë në shkollë dhe pas shkolle duhet të bëjnë mësimet e tyre, nëse punojnë duhet të lenë shkollën dhe kohën që duhet t’u kushtojnë mësimeve.

“Çfarë është tipike dhe gjithashtu e aprovuar nga statistikat është se shumica e fëmijëve, të cilët janë të përfshirë në punë nuk janë në shkollë. Ata nuk janë në gjendje të shkojnë në shkollë, sepse nuk mund të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe si rezultat ata mbeten për gjithë jetën pa edukim të mjaftueshëm dhe mbeten në ciklin e punës shfrytëzuese. Do të ishte shumë e vështirë ta themi sa është numri i fëmijëve që kanë braktisur shkollën në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, sepse e dimë që shkollat u mbyllën dhe shumica e fëmijëve e bënë mësimin online. Mund të them se vitin e shkuar, për shkak se shumë shkolla ishin online, shumë fëmijë, shumë më tepër se më parë, fatkeqësisht, nuk mund të ndiqnin shkollën, thjesht sepse nuk kishin internet në shtëpi, nuk kishin televizor apo energji elektrike dhe nuk kishin asnjë mbështetje.”

Në përgjithësi, edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, 92 përqind e fëmijëve gjatë dy viteve të fundit ndoqën shkollën dhe 7 apo 8 përqind e tyre potencialisht e braktisën shkollën. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë