Qendrat e votimit për zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike u mbyllën në disa zona pak pas orës 19:00.
Rezultatet paraprake, siç tha kreu i Komisionit të Zgjedhjeve, Jemin Gjana pritet që të dalin rreth mesnatës. Por, jozyrtarisht mësohet se nga numërimi i deritanishëm Lulzim Basha kryeson me mbi 80 për qind të votave në Maliq, Himarë, Pukë, Kuçovë dhe në qendra të tjera ku numërimi po shkon drejt fundit.
Në total pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 54.7 për qind, ose kanë votuar rreth 41 mijë anëtarë të partisë, ku Lulzim Basha ka siguruar rreth 33 mijë vota, ose 81 për qind të tyre, ndjekur nga Agron Shehaj me rreth 6 mijë vota. As Edith Harxhi dhe jo as Fatbardh Kadilli nuk kanë mundur të marrin më shumë se 1 mijë vota.
Agron Shehaj ka dalë para Bashës vetëm në Selenicë.
Gjatë ditës, rivalët e Lulzim Bashës kanë hedhur akuza për manipulim të procesit. I pari që shqiptoi akuza ishte kandidati Agron Shehaj. Ai foli për kompromentim të procesit dhe akuzonte se vëzhguesit e tij po mbaheshin larg qendrave të votimit duke mos identifikuar dot nëse votuesit ishin anëtarë partie apo jo.
“Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin. Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati”, tha Shehaj.
Por probleme madhorë në proces foli edhe Edit Harxhi.
"Një numër i konsiderueshëm anëtarësh që janë kontribues në parti, kanë qenë aktiv në zgjedhjet e fundit dhe themelues të PD nuk kanë votuar se nuk janë në lista. Ka të dhëna nga shumë qendra në vend që kanë probleme. Një tjetër problem është edhe votimi i atyre që nuk kanë emrin në listë dhe nuk kanë kartë anëtarësie dhe po lejohen vetëm me karta identiteti. Ka pasur raste ku ka pasur votim familjar në Kavajë dhe Mat, kjo është e patolerueshme. Më shqetësuese për mua është mosvotimi i mijëra anëtarëve që nuk figurojnë në lista. Ky proces ka probleme të mëdha, por pavarësisht kësaj kërkoj që të gjithë anëtarët të dalin të votojnë masivisht", deklaroi ajo.
Sali Berisha nga ana tjetër, pasi hodhi votën për kryetar përforcoi deklaratën se u qëndron atyre që tha gjatë javës për një rikthim të mundshëm në krye të PD.
"Besoj se kjo nuk do të nxjerrë të ndarë, do ta nxjerrë të bashkuar, kandidatët i kanë shprehur pikëpamjet e tyre. Që është krejtësisht normale, janë zotuar që do të vazhdojnë pavarësisht nga rezultati përpjekjet e tyre për PD dhe për vendin. Të shohim se çfarë po bëjmë vetë për të organizuar shqiptarët, inkurajuar për ti mbledhur dhe për t’iu kthyer shpresën, besimin, se Shqipëria e bukura e dheut nuk meriton të largohemi, por meriton të punojmë me guxim të madh", deklaroi Berisha.
Bujar Nishani u tregua më i ashpri. Ai e cilësoi procesin të ngjashëm me akuzat e Bashës për 25 prillin.
“Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD-në, mund ta bëjnë një forcë pa energji. Nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme, kandidatët e tjerë veç Bashës nuk kanë pasur mundësi infrastrukturore, drejtuesit e degëve lokale kanë refuzuar që të organizojnë takimet për kandidatët e tjerë. 50% e anëtarësisë është zhdukur brenda 3 muajsh. Përfaqësuesi i kandidates Edit Harxhi është kërcënuar. Pd sot është në një rreizk të madh. Kjo është një betejë për demokracinë, shumica e demokratëve janë zemërthyer për këtë debat që kemi sot. Atë që Rama bëri më 25 prill me qytetarët Basha e ka bërë brenda PD me anëtarët”, u shpreh Nishani.
Kreu i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana i hodhi poshtë këto akuza. Ai tha se këto deklarata synojnë që të cenojnë procesin, ndërsa në lidhje me pjesëmarrjen tha se deri në orën 13:00 ajo ishte rreth 31 për qind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.