Bizneset gjermane në Shqipëri janë pesimistë për stabilitetin ekonomik të tyre gjatë vitit 2021, sipas anketës së bërë nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për periudhën mars-prill të vitit 2021.
63% e të anketuarëve kanë vlerësuar negativisht klimën e biznesit për vitin momental, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër ishte 54%. Pozitivisht e kanë vlerësuar vetëm 8% e bizneseve të pyetura, 1% më pak se një vit më parë, kur vlerësohej pozitivisht nga 9% e bizneseve gjermane.
Situata vlerësohet e kënaqshme nga 29% e bizneseve të anketuara, kur në vitin 2020 kjo përqindje ishte 38. Pjesa tjetër e bizneseve gjermane në Shqipëri, që përbën 23% të masës, pret përmirësim të situatës.
Për bizneset e DIHA, vlerësohen maksimalisht kualifikimi i punonjësve, produktiviteti dhe motivimi i tyre dhe arsimimi akademik.
Në anketë vihet re dhe një përmirësim i këndvështrimit të tyre për situatën politiko-sociale në Shqipëri që mund të ndikojë në biznesin e tyre.
Në përgjigje të pyetjes: “Kur mendoni se mund të arrini xhiron që biznesi juaj ka patur përpara fillimit te pandemisë?” 36% e të anketuarve përmendin vitin 2023 ose më vonë, 31% në vitin 2022, 15% në gjysmën e dytë të vitit 2021, 2% në gjysmën e parë të vitit 2021.
Ndërkohë 6% e bizneseve raportojnë se nuk do të mund të rikthehen ne nivelet e të ardhurave përpara pandemisë dhe 10% e të anketuarve e kanë arritur tashmë xhiron e mëparshme.
Në publikimin e anketimit ishte pjesë zëvëndës presidentja e DIHA-s, Ambasadori Gjerman në Shqipëri Peter Zingraf dhe Ministri i Sipërmarrjes Eduard Shalsi. Të gjithë shprehën dakordësinë për rëndësinë e anketave të tilla dhe pavarësisht kohës së vështirë për të gjithë bizneset në botë, ka dritë në fund të tunelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.