Biznes

Dhoma Gjermane e Tregtisë: Shqipëria nuk do të jetë më vendi ‘ku mund të bësh biznes me paga të ulëta’

Nga Gazeta "SI" - Klima e biznesit dhe investimeve në Shqipëri shfaqet e zbehtë dhe për 2022-shin, sipas anketës së Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.

Pas një viti pandemie, duket se sfida e radhës për bizneset është largimi i fuqisë punëtore dhe theksuar nga raporti, "Shqipëria nuk do të jetë dhe për shumë gjatë vendi ku mund të bësh biznes me oaga të ulëta.

44% e kompanive gjermane në Shqipëri vlerësojnë si të pandryshuar situatën e tyre në krahasim me një vit më parë, kur ishte 38% ky vlerësim.

21% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomike më mirë, ndërkohë që vitin e kaluar këtë vlerësim e kishin 23% e bizneseve

Anketimi është zhvilluar në periudhën prill-maj 2022 dhe situata aktuale ekonomike vlerësohet negativisht nga 42% e të anketuarve.

Sipërmarrësit gjermanë po ashtu shprehen se po shohin se “çmimet e energjisë dhe të lëndëve të para” është rreziku më i madh për biznesin. Më pas “Mungesa e forcës së punës” dhe “Kostoja e punës” përmenden ndër risqet kryesore.

Janë vlerësuar më mirë produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i punonjësve dhe kostoja e punës. Një ndryshim pozitiv dallohet edhe tek faktorët që më parë shiheshin në mënyrë shumë kritike, si “Barra Tatimore”, “ Sistemi dhe administrata tatimore” ,“Stabiliteti politik dhe social” dhe “Siguria ligjore”. Ndërsa faktorët “Disponueshmëria dhe cilësia e furnitorëve lokalë” dhe “Disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar” shënojnë një rënie të dukshme në krahasim me një vit më parë.

Presidentja e DIHA-s, znj. Stephanie Sieg-Farka u shpreh se pandemia ka shkaktuar humbje të mëdha për disa kompani dhe disa prej tyre madje u është dashur të mbyllin veprimtarinë e tyre.

"Është e kuptueshme që ekonomia nuk mund të rimëkëmbet menjëherë, veçanërisht pas sfidave dhe vështirësive të reja që i sjell ekonomisë lufta në Ukrainë." Megjithatë ajo theksoi se perspektivat e biznesit për të ardhmen janë përmirësuar nga viti i kaluar, por emigracioni i fuqisë punëtore po shkakton vështirësi.

Ambasadori Gjerman, Peter Zingraf theksoi në fjalën e tij se lufta ruse në Ukrainë ka tronditur të gjithë botën dhe efektet e saj janë ndjerë pothuajse kudo.

"Rritja e kostove, veçanërisht për energjinë, përbën një tjetër sfidë për kompanitë. Gjermania ka ndihmuar dhe do të ndihmojë në zbutjen e ndikimit ekonomik, qoftë nëpërmjet ndihmës direkte pas tërmetit; mbështetjen e SME-ve të prekura nga pandemia përmes një strukture këshillimore dhe skemave të garancisë; ose nëpërmjet bashkëpunimit tonë me qeverinë në reformimin e sektorit të energjisë. Lufta ndaj korrupsionit, shteti i së drejtës dhe transparenca mbeten qendrore nëse ne duam të shfrytëzojmë tërësisht potencialin e marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare."


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë