Disa ditë më parë, skena e teatrit shqiptar humbi një nga emrat më të mëdhenj të regjisurës, Piro Manin.
Aktori u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare në SHBA ku edhe jetonte prej vitesh.
Pirro Mani ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer dhe vepra e tij në skenë dhe ekran do të mbetet gjatë në kujtesën e kolegëve dhe artdashësve.
Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita në një intervistë teksa ndau kujtimet me regjisorin Pirro Mani, një pjesë e rëndësishme e karrierës së të cilit u realizua në Korçë tha se në nder të tij, Teatri i Korçës duhet të marrë emrin “Piro Mani”, në vend të “Andon Zako Çajupi”.
“Unë shpresoj që ne të kemi një emër që ky teatër e meriton. Sigurisht që Çajupi është një emër i rëndësishëm, por ka shumë pak lidhje me Korçën dhe ndoshta më pak lidhje me teatrin. Kurse Piro Mani është vetë teatri ynë, ai do të na e lartësojë dhe përjetësojë teatrin e qytetit tonë”, u shpreh Kita.

Por deklarata e saj nuk është pritur mirë në rrethin e artistëve, duke sjellë dhe reagime në rrjetet sociale. Njëri prej tyre është aktori dhe regjisori i njohur, Mevlan Shanaj.
Sipas tij, tjetërsimi i emrit nuk tregon vlerësim për Piro Manin, duke i cilësuar si ide të nxituara dhe emocionale. Sipas tij, as vetë i ndjeri nuk do të ishte dakord me këtë.
“Ide për tjetërsim të emrit të Teatrit A.Z.ÇAJUPI, sot në ditën e përcjelljes së legjendës Piro Mani, mendoj se nuk tregojnë vlerësimin për të, janë të nxituara dhe emocionale siç ndodh shumë herë mes nesh në shprehje të emocioneve të pakontrolluara. Emri i ndritur i një ndër komediografëve të parë, padyshim është më se i merituar. Mjaft me ndërrime emrash! Kam bindje se Piro Mani do ishte mos aprovuesi i parë i kësaj ideje. Mund të gjenden emërtime të tjera po aq madhështore në nderim të kësaj figure madhështore të kombit tonë”, ka shkruar regjisori i njohur, Mevlan Shanaj në “Facebook”.

Mendimin e regjisorit Shanaj e kanë mbështetur edhe aktorë të tjerë.
“Mendoj njësoj!”, shkruan aktorja Suela Bako. Edhe aktori Dritan Boriçi e cilëson më shumë si deklaratë emocionale.
“Kur prin pasioni logjika mbetet pas”, thotë Dritan Boriçi.
Piro Mani lindi në Korçë më 14 prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



