Treg

Pandemia rriti konsumin e internetit në 700 mln GB, por kompanitë raportuan ulje të fitimit

Shqiptarët konsumuan rreth 700 milionë GB internet përgjatë vitit të pandemisë dhe në total shpenzuan rreth 33.4 miliardë lek për komunikimet elektronike.

Shifrat dalin në raportin vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Pjesa dërrmuese e volumit të internetit, rreth 600 mln GB është konsumuar përmes linjave fikse, ndërsa rreth 90 mln GB është volumi i internetit i konsumuar nga tre operatorët që e ofrojnë këtë shërbim përmes shërbimit celular.

Raporti thotë se në krahasim me 2019-ën ka një rritje me 28.6 për qind të volumit të internetit të blerë nga pajtimtarët nga kompanitë celulare dhe rreth 32 për qind të volumit të internetit të blerë nga kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim përmes rrjetit fiks.

Megjithëse pesha që zë volumi i internetit të ofruar nga kompanitë celulare zë rreth 13 për qind të totalit të volumit të internetit të konsumuar nga qytetarët përgjatë 2020-ës, shuma që kompanitë celulare kanë arkëtuar është rreth 23 miliardë lek nga 33.4 miliardë lek totali, ose rreth 70 për qind të totalit të shpenzimeve.

Në krahasim me 2019-ën, kjo shifër e tregut celular të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve është rreth 9 për më e ulët. Raporti i AKEP thotë se kjo rënie në të ardhurat e operatorëve celularë është ndjerë nga ulja e të ardhurave të gjeneruara në të dy tregjet, atë të pakicës dhe tregun e shërbimet me shumicë. Ndër faktorët kryesorë raporti përmend uljen e volumit të thirrjeve kombëtare e ndërkombëtare si rezultat i përdorimit masiv të aplikacioneve.

Megjithatë, AKEP thotë se pavarësisht uljes së nivelit të të ardhurave totale nga viti 2019, gjatë vitit 2020 operatorët e shërbimeve celulare e kanë rritur ndjeshëm nivelin e investimeve në përmirësimin e rrjeteve.

“Kjo shihet në përmirësimin e shërbimeve broadband, si edhe në përmirësimin e cilësisë së thirrjeve zanore. Në fund të vitit 2020 kjo shifër arriti në 6.9 miliardë lekë, nga rreth 4.2 miliardë lekë për vitin 2019. Të ardhurat nga komunikimet elektronike, të raportuara nga ofruesit e shërbimeve nga rrjetet fikse për vitin 2020, ishin 9.55 miliardë lekë. Kjo përbën një rritje me rreth 6% krahasuar me vitin 2019”, thotë AKEP.

Bazuar në raportimet e kryera, përgjatë vitit 2020, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer 2.76 miliardë lekë investime, të cilat janë përdorur kryesisht për përmirësimin e aksesit të shërbimeve broadband.

Raporti vë re se përgjatë vitit 2020 ka vijuar tendenca e ndryshimit të strukturës së pajtimtarëve, ku vihet re ulje e numrit të pajtimtarëve me parapagim (77% nga 83% që ishte në vitin 2019), e cila tregon për tendencën e shkuarjes drejt shërbimeve me kontratë (paspagim), ashtu si edhe në vendet e tjera të zhvilluara.

Të dhënat e grumbulluara nga AKEP tregojnë se numri total i kartave SIM arriti në rreth 3.3 milionë gjatë vitit 2020, e thënë ndryshe, çdo banor në Shqipëri zotëron rreth 1.17 karta SIM. Ndërkohë, numri i kartave SIM aktive (i referohet numrit të kartave që janë përdorur për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.6 milionë, një tkurrje e lehtë me rreth 0.4% krahasuar me vitin 2019.

Numri pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2020 për herë të parë tejkaloi shifrën e 500 mijë pajtimtarëve, duke u rritur këtë shifër me rreth 15% krahasuar me vitin 2019.

Raporti thotë se Shqipëria është ende larg mesatares europiane të mbulimit me internet, që vlerësohet rreth 33 për qind, por është mbi normën mesatare globale, prej rreth 15 për qind. “Shqipëria vlerësohet si vendi me rritjen më të shpejtë të internetit për 100 banorë, me 15.9%”, thotë raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë