Mbi 1 mijë persona janë vënë nën përgjim me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme me akuzat që lidhen kryesisht me ato të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shifra u bë publike nga kreu i SPAK, Arben Kraja që prezantoi këtë të premte në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të punës së prokurorëve të posaçëm.
Vetë prokurorët kanë autorizuar përgjatë 2020-ës 391 autorizime për përgjim dhe 943 vendime të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga të cilat 157 janë vendime për lejim përgjime të reja, 344 vendime vleftësimi përgjimesh dhe 442 vendime zgjatjeje përgjimesh,
“Gjatë vitit 2020, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, janë interceptuar rreth 1175 subjekte përgjimi (autorë të dyshuar apo që kanë dijeni për vepra penale), 1373 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim) ku është rezultuar në ndalimin e rreth 171 personave të dyshuar për kryerje të veprave penale”, tha Kraja.
Po përgjatë 2020-ës, numri i personave që janë marrë të pandehur është 260 në total, ku 113 prej tyre janë të përfshirë në 16 dosje penale me akuza që lidhen me krimin e organizuar. Dosjet për korrupsion përbëjnë numrin më të madh të volumit të punës, me 50 të tilla, por me 95 të pandehur.
Në 4 çështjet penale të tjera me 52 të pandehur gjithsej janë të dërguara në gjykim për vepra penale të tjera, kryesisht për krime që lidhen me zgjedhjet.
“Nga 746 persona nën hetim që janë hetuar gjatë vitit 2020, kanë përfunduar hetimet për 534 persona nën hetim/të pandehur, që i korrespondon 71,5 % e numrit total të personave në hetim, ndërsa për vitin 2021 janë mbartur hetimet për 212 persona nën hetim”, u shpreh Kraja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


