Taksa

Raporti/ Të ardhurat nga ndërtimi u rritën edhe pse bizneset ishin pesimiste

Të ardhurat që burojnë nga sektori i ndërtimit përfaqësuan rreth 52.2% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore me rreth 8 miliardë lekë sipas analizës së Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në raportin për zhvillimin e financave vendore në vitin 2020.

Raporti theksonte se të ardhurat nga sektori i ndërtimit në buxhetin e bashkive janë rritur teksa indeksi i besimit në bizneset e ndërtimit ka ardhur në rënie.

Co-Plan analizon se performanca në të ardhurat prej TNI(Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë) sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore matur nga numri i lejeve të ndërtimit, ndonëse ky presion është përqendruar kryesisht në bashkinë Tiranë ku janë dhënë rreth 24.2% e totalit të lejeve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Në nivel mesatar, të ardhurat nga TNI (nga ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga legalizimet) kanë rritur në mënyrë progresive kontributin e tyre në buxhetet vendore.

Në fund të vitit 2020, të ardhurat totale nga TNI nga 61 bashkitë përfaqësuan rreth 52.2% të të ardhurave nga taksat vendore.

Për rreth 8% të bashkive, të ardhurat nga kjo taksë qëndrojnë mbi mesataren kombëtare të raportit TNI/të ardhura nga taksat vendore: bashkitë Himarë (82.6%), Tiranë (64.6%), Malësi e Madhe (59.1%), Kamëz (57.2%) dhe Sarandë (53.2%).

Ndërkohë, në rreth 21% të bashkive të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore.

Këto të ardhura nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë.

Në vitin 2020, bashkia Tiranë arkëtoi rreth 6.4 miliardë lekë, një rritje me rreth 2.4% në terma vjetorë.  Me diferencë të theksuar nga bashkia Tiranë, bashkia Vlorë mblodhi rreth 2.5% të të ardhurave nga TNI për vitin 2020 ndjekur nga bashkitë Durrës (rreth 2.4%) dhe Himarë (rreth 2.0%).

Bazuar në informacionin për lejet e ndërtimit të dhëna në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, në bashkinë Tiranë do të shtohen rreth 520 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore të reja apo rreth 79% e sipërfaqes totale ndërtimore të re në Shqipëri.

Pas një rritje me ritme dyshifrore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 7.9 miliardë lekë, në rënie me rreth 6.1% në terma vjetorë, ose rreth 514 milionë lekë më pak krahasuar me vitin e mëparshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë