Komunitet

Mbi 280 mijë qytetarë kanë marrë vaksinën kineze

Deri në fillim të muajit maj numri i qytetarëve shqiptarë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës kineze, Coronavac ishte 280 mijë vetë.

Shifra del nga relacioni që shoqëron aktin normativ të Qeverisë për miratimin e kontratës së re me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret A.S”.

“Për të vijuar me mbulimin me doza të dyta, për totalin e 280 000 personave që kanë marrë dozën e parë janë të nevojshme edhe doza të tjera shtesë”, thuhet në relacion.

Shqipëria lidhi kontratë me kompaninë turk më 23 mars për marrjen e menjëhershme të 500 mijë vaksinave, me mundësinë e marrjes së një tjetër sasie të ngjashme. Por, pas dërgesës prej 500 mijë dozash, sasia tjetër më e madhe me vaksina kineze është 60 mijë doza.

Në relacion thuhet se kushtet që kërkon kjo vaksinë janë të favorshme dhe mundësojnë menaxhimin e sasive të mëdha.

Në lidhje me çmimin që do të merret sasia e dytë nuk ka asnjë të dhënë, ndërkohë që në aktin normativ përcaktohet se kontrata e re me kompaninë turke do të jetë sërish sekret dhe nuk do të botohet në Fletoren Zyrtare.

Efektet financiare që rrjedhin nga marrëveshja do të përballohen nga Fondi Rezerve i buxhetit të shtetit për vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë