Ngjarje

Turqit na ofruan vaksinat kineze me çmim 20 USD doza

Propozimi i Ministrisë së Financave për të rishikuar ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2021 ka zbuluar tërthorazi çmimin me anë të të cilit Shqipëria ka blerë vaksinat kineze nga kompania turke përmes marrëveshjes së klasifikuar si sekret.

Në Komisionin e Ligjeve u diskutua këtë të hënë akti normativ që ndërhyn në ligjin për buxhetin e shtetit, ku sipas relacionit shoqërues qëllimi është rialokimi nga fondet rezerve të një shume prej 10 milionë dollarësh për blerjen e vaksinës kineze Sinovac nga kompania turke “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”.

Sipas relacionit shoqërues, nuk ka qenë Shqipëria që i ka kërkuar kompanisë turke vaksinat kineze, por ka qenë vetë kompania turke “Keymen” që sipas Qeverisë ka shprehur interesin e saj për të na furnizuar me vaksinën e inakvitizuar kundër Covid.

Ndërkohë, pagesa e kryer e konvertuar në lek shkon në rreth 1.1 mld lek. Në bazë të deklaratave të bëra nga Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, kjo shumë do të shkojë në arkën e kompanisë turke për 500 mijë vaksinat e para, ndërkohë që marrëveshja lë hapur mundësinë për blerjen e 500 mijë vaksinave të tjera në të ardhmen.

Kjo do të thotë se Shqipëria ka blerë vaksinën kineze për 20 dollarë doza, ndërkohë që nëse do të aktivizohet parashikimi i marrëveshjes për blerjen e 500 mijë dozave të tjera, atëherë Shqipëria do të shpenzojë rreth 20 mln dollarë për 1 milionë vaksinat e Sinovac.

Dërgesa e parë prej 192 mijë dozash nga Sinovac mbërriti në javën e fundit të muajit mars dhe u mundësoi autoriteteve shqiptare nisjen e procesit të vaksinimit masiv të popullatës. Ky proces ka zbritur këtë të hënë deri në moshën 60 vjeç, me kushtin se përfituesit e parë janë personat me sëmundje kronike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë