“Ku na del llogaria të ecim të paguajmë lekë çdo ditë. Unë dhe gruaja marrim nga dy autobusë në ditë, nga Kashari deri tek Medreseja që shkon njëri e deri tek Vilat Gjermane që shkon tjetri. I thonë gjithë ato lekë, plus djalin që e kemi në shkollë të lartë,” tregon Bashkimi për Gazetasi.al një person 50 vjeçar që udhëton çdo ditë me autobus.
Vendimi se do të hiqen abonetë e përgjithshme pritet të merret nga Këshilli Bashkiak, të hënën dhe nëse miratohet do të hyjë në fuqi në 1 qershor. Nëse miratohet vendimi duke filluar që nga muaji që vjen, parashikohet të jenë në qarkullim vetëm abonetë e linjave. Që do të thotë që për çdo linjë, qytetarët duhet të jenë të pajisur me një abone më vete. Qytetarët nuk janë vënë në dijeni nga punonjësit e shërbimit të transportit urban, por duke dëgjuar nga njëri-tjetri dhe mediat e cilësojnë këtë vendim absurd.
Bashkimi i tha Gazetasi.al se vetëm atij i shkon rreth 32 mijë lekë për të shkuar në punë çdo ditë, duke përfshirë më pas në të njëjtën llogari edhe gruan e djalin.

“Ne marrim 550 mijë lekë rrogë të gjithë si shtëpi dhe vetëm abone na shkon kushedi se sa. Nëse merret vendimi do të bëjmë protestë. Edhe po të blejmë abonetë për secilën linjë nuk na del llogaria. Si i marrim kot vendime pa llogari, çfarë do bëjmë më parë me lekët që marrim? thotë qytetari i irrituar.
Në një përllogaritje të thjeshtë, duke marrë si bazë të ardhurat e një famije mesatare si ajo e Bashkimit, (500 mijë lekë në muaj), rreth 80 mijë lekë i shkojnë abone për tre personave (duke llogaritur njërin me shpenzime mujore për urban 16 mijë lekë). Në tablonë e kësaj shifre rezulton se një familje mund të blejë edhe 4 abone të tjera. Ndërkaq nëse merret vendimi, Bashkimit dhe qytetarëve të tjerë me të ardhura mesatare, abonoja do t’i marrë rreth 16% të rrogës totale në muaj.

Njëjtë si Bashkimi ka edhe qytetarë të tjerë. Për linjat e gjata ata përdorin dy ose tre autobusë, gjë për të cilën konsiderohet tepër e vlefshme abonoja e përgjithshme.
“Nga 16 mijë lekë që paguaja unë, tani duhet të paguaj 24 mijë lekë për dy abone?! Këta nuk janë në vete!,” shprehet një tjetër qytetar në linjën Kombinat-Kinostudio.
“Me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave, frekuencat, kushtet e shërbimit, gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit, lind nevoja e heqjes së biletës së përdorimit mujor të përgjithshme (abone e përgjithshme), për një periudhë tremujore, pasi kjo periudhë do të shërbejë që nëpërmjet vijimit të matjeve në terren, të studiohet dhe analizohet situata me të gjithë impaktet, me qëllim ristrukturimin e linjave në itinerare, frekuenca, kushte shërbimi si dhe rishpërndarjen e volumeve të udhëtarëve”, – thuhet në projektvendim, i cili iu propozon 61 anëtarëve të këshillit miratimin e tij.
Shoqata e Transportit të Urbaneve nuk ka pranuar të jap një koment për këtë çështje pasi është vendim i Bashkisë. Ndërkaq qytetarët thonë se kjo ndikon drejtpërsëdrejti në xhepat e tyre.
“Mirë që ka shumë njerëz në autobus, që s’kanë pyetur as për shëndetin as për pandeminë. E kushtet janë si mos më keq, tani na dalin se do të heqin dhe abonent e përgjithshëm. E kanë idenë veç të na nxjerrin lekë nga xhepi,” shton një tjetër qytetare e acaruar në linjën e Unazës së Re.

Gazetasi.al kërkoi informacion pranë Bashkisë së Tiranës se çfarë do të sillte riorganizimi i urbanëve për qytetarët dhe pse vlen heqja e abonesë së përgjithshme, por nuk mori asnjë përgjigje.
Ndërkaq, një studim të vitit të kaluar nga qendra STEP dhe nisma “Artivizëm” tregonte se transporti urban në vend ka një sërë problemesh, të cilat nuk lidhen me heqjen e abonesë së përgjithshme.
Studimi i kryer gjatë periudhës korrik-tetor të vitit të shkuar tregon se nga 1020 persona të anketuar rreth 82.4% e tyre kanë treguar se ka një nivel të ulët të sigurisë gjatë udhëtimit në urban, qoftë kjo për udhëtimin, por edhe për episodet si ngacmime seksuale dhe vjedhja e objekteve personale dhe mungesën e higjienës në mjetet e transportit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



