Art dhe Kulture

Për herë të parë, Muzeu i Luvrit i besohet një gruaje

Laurence des Cars, drejtoresha aktuale e muzeut Orsay, është emëruar në krye të Luvrit, muzeu më i madh në botë i vizituar nga 10 milionë njerëz në vitin 2019.

Nga 1 shtatori ajo do të jetë gruaja e parë që do të ketë rolin e drejtoreshës së Luvrit, pas disa muaj tranzicioni dhe bashkëjetese me drejtorin aktual Jean-Luc Martinez.

Specialistja e artit e shekujve XIX dhe fillimi i shekullit XX, 54-vjeçarja Laurence des Cars kishte punën e saj të parë si kuratore në Musée d’Orsay në vitin 1994. Në 2007 ajo u bë drejtoreshë e France Museums, organi i rëndësishëm shtetëror i ngarkuar për të ndjekur hapjen e “Louvre Abu Dhabi” në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në 2014 Cars u zhvendos për të drejtuar muzeun Orangerie dhe në 2017 u bë gruaja e parë që drejtoi Musée d’Orsay, dhe mori vlerësime pozitive për ekspozitën shumë të suksesshme “Le modèle noir de Géricault à Matisse”, mbi përfaqësimin e figurave të zeza nga abolucioni të skllavërisë në Francë (1794) deri më sot. Nën drejtimin e saj, pjesëmarrja në Muzeun Orsay ka vazhduar të rritet, duke arritur gati katër milionë në 2019.

Laurence des Cars kishte gjithashtu një rol thelbësor në historinë e “Trëndafilave nën pemë” të Gustav Klimt, kur për herë të parë shteti francez u ktheu një vepër të blerë me para publike trashëgimtarëve të një viktime të nazizmit. “Zemra rrihte më shpejt, ishte një moment emocionesh dhe gëzimi”, do të shprehej Laurence des Cars në lidhje me telefonatën nga ministrja e Kulturës, Roselyne Bachelot, e cila njoftoi emërimin e saj në Louvre.

“Një moment që unë isha në gjendje ta ndaja me të dashurit e mi, isha me familjen time dhe nuk do ta harroj kurrë këtë thirrje”, shtoi ajo duke folur për mediat në Francë.

Laurence des Cars është thirrur në detyrën e vështirë për të pasuar Jean-Luc Martinez, drejtor për tetë vjet, përgjegjës për sukseset e mëdha, por edhe për zgjedhjet e diskutueshme artistike. Pas dy mandateve, arkeologu 57-vjeçar priste një mandat të tretë. Nën drejtimin e tij Luvri ka arritur pragun e 10 milionë vizitorëve dhe vetëm ekspozita mbi Leonardo da Vincin nga tetori 2019 deri në shkurt 2020 tërhoqi mbi një milion njerëz, një rekord tjetër.

Martinez arriti të hapë Luvrin për një audiencë të re, por sipas kritikëve të tij ai ka pranuar shumë kompromise me marketingun dhe markat e mëdha.

Drejtoresha e re kishte paraqitur një projekt për Luvrin në Elysée në të cilin ajo reflektoi “në mënyrën në të cilën Luvri mund të jetë plotësisht bashkëkohor. Ka shumë për t’u thënë të rinjve, është një bord i zhurmshëm për shoqërinë”.

Masa e parë do të jetë krijimi i një departamenti të nëntë, kushtuar Bizantit dhe të krishterëve të Lindjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë