Qeveria shqiptare njoftoi në fillim të këtij muaji nisjen e procesit të vaksinimit për të gjithë punonjësit në sektorin e turizmit, si përpjekje për të garantuar një sezon turistik të sigurtë dhe të suksesshëm.
Por, këto përpjekje kanë hasur në një pengesë të pakapërcyeshme: informalitetin. Listat emërore me personat që janë në radhë për vaksinim përfshijnë janë vetëm personat që figurojnë si të punësuar në sektorin e turizmit dhe derdhin kontribute te sigurimet shoqërore.
Kush punon në të zezë, pra i padeklaruar nuk figuron në këto lista rrjedhimisht nuk përfitojnë nga prioritizimi për t’u vaksinuar. Numri i tyre nuk është i paktë. Të kontaktuar nga Gazeta Si, disa njësi e struktura akomoduese që operojnë në sektorin e turizmit dhe agro-turizmit thonë se problemi i madh është informaliteti në këtë sektor.
Si shembull, në të gjithë rrethin e Elbasanit, numri i personave të vaksinuar me prioritet si punonjës që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e turizmit nuk i kalon 25 vetë, megjithëse strukturat e ofrimit të shërbimeve turistike, si hotele, restorante dhe ferma agro-turistike janë të shumta, si në Gjinar, Funar, Llixha dhe në zonën e Belshit.
Gazeta Si mëson se arsyeja kryesore nuk lidhet me mungesën e vaksinave, por me neglizhencën e operatorëve të këtij sektori dhe me numrin e ulët të personave të deklaruar si punonjës në strukturat akomoduese.
Sipas një vlerësimi të Këshillit Shqiptar të Investimeve, një strukturë e ngritur nga Qeveria shqiptare me ndihmën e Bankës Europian për Rindërtim dhe Zhvillim, në vitin 2019-të, para pandemisë rreth 40 për qind e sektorit të turizmit operonte në informalitet.
Për shumë ekspertë shifrat e 2019-ës janë të moderuara, ndërsa pandemia përgjatë 2020, ku turizmi ishte sektori më i goditur e kanë përkeqësuar situatën, duke përllogaritur se aktualisht informaliteti mund të shkojë deri në 50-60 për qind të totalit të këtij sektori.
Megjithatë, vaksinimi duket i ngadaltë edhe në pjesën e formalizuar të këtij tregu. Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga 1 janari deri më tani janë rreth 6 mijë punonjës të sektorit të turizmit që kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid, nga rreth 30 mijë të punësuar direkt dhe mijëra të tjerë të punësuar indirekt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.