Dy të rinj janë arrestuar, ndërsa 5 persona të tjerë janë proceduar penalisht për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.
Vetëm në një kompani, të rinjtë kanë shkaktuar një dëm prej 33 milionë lekësh të rinj, ndërsa dyshohet se ”viktima” të tyre kanë rënë dhe biznese të tjera.
Hetimet nisën pas kallëzimit nga një kompani e telefonisë së lëvizshme për një mashtrim kompjuterik.
Të rinjtë, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare, të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të vendit, me qëllim për të përfituar financiarisht, duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.
Sipas hetimeve, ka rezultuar se vetëm në një kompani këta shtetas kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera, të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.
Në këtë mënyrë, në pranga është vënë shtetasi Q.T., 21 vjeç dhe I.B., 18 vjeç, të dy të akuzuar për “mashtrim kompjuterik”.
Në këtë rrjet, kanë bashkëpunuar edhe pesë shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë furnizuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare: E.H., 21 vjeç, E.Sh., 19 vjeç, Dh.T., 23 vjeç, M.M., 33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S.S, 26 vjeç (shtetas i huaj).
Të pestë këta shtetas do të hetohen në gjendje të lirë, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Policia ka kontrolluar edhe banesat e të gjithë këtyre shtetasve, ku ka sekuestruar si provë materiale telefona celularë, laptopë, dokumente dhe fatura të ndryshme bankare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




