Treg

2.8 mld lekë në tregun postar gjatë pandemisë, 18% më shumë se 2019-ta

Gjatë vitit 2020, sektori i shërbimeve postare u rrit me 18% krahasuar me vitin 2019, duke arkëtuar 2.8 miliardë lekë.

Pjesën më të madhe të tregut e dominon Posta Shqiptare sh.a me të ardhura 1.5 miliardë lekë   nga të cilat rreth 1.3 miliardë lekë janë të ardhura të gjeneruara nga shërbimi universal.

Sipas raportit nga AKEP, operatorët e tjerë të shërbimeve postare kanë mbledhur rreth 1.3 miliardë lekë, me 59% rritje nga viti 2019 në viti 2020.

Në raport thuhet se në vitin 2020 numëroheshin 26 operatorë postarë dhe në tremujorin e parë të vitit 2021, janë 31.

“Numri total i objekteve postare të pranuara gjatë vitit 2020 nga “Posta Shqiptare” dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve postare ishte rreth 24.7 milionë, një rënie me rreth 4% krahasuar me vitin 2019. Kjo tkurrje ka ardhur si rezultat i tkurrjes së volumit të shërbimeve postare të Postës Shqiptare, e kundërta ka ndodhur me volumet e pranuara nga ofruesit e tjerë të shërbimeve postare, të cilat përgjatë vitit 2020 kanë shënuar rritje për të gjithë treguesit e shërbimit jo-universal dhe atij ekspres.”

Rritjen më të madhe e ka shënuar postimi jo-universal brenda vendit, me 174%. Shërbimi postar ekspres brenda vendit ka shënuar rritje me rreth 39% krahasuar me vitin 2019.

Pandemia dhe mbyllja, stimuluan rritjen e dërgesave nëpër banesa.

Në përgjithësi, shërbimi universal ka pësuar rënie dhe AKEP shpjegon në raport arsyet pse ka ndodhur kjo.

a) Përballimi i pandemisë Covid-19 kërkoi mbylljen e bizneseve dhe kufizimin e lëvizjes së popullatës në fasha të caktuara orare për një periudhë të konsiderueshme kohore, duke sjellë ndërprerje të korrespondencave ndërmjet bizneseve (B2B), bizneseve me konsumatorët (B2C) dhe anasjelltas, dhe duke penguar paraqitjen e klientëve në sportelet e “Posta Shqiptare” për shfrytëzimin e shërbimeve postare.

b) Kalimi në punën në shtëpi (telepunë) i administratës qendrore dhe lokale, në përgjithësi ndikoi në reduktimin e përdorimit të postës së letrave dhe rriti përdorimin e postës elektronike (e-mail).

c) Situata e pandemisë Covid-19, solli ndërprerje të fluturimeve civile për disa muaj, duke ndërprerë dhe vijimin e rregullt të postës ajrore. Për kryerjen e shërbimit postar ndërkombëtar u bashkëpunua me DHL dhe FedEx, duke vijuar dërgesat postare me avionët e këtyre kompanive postare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë