Trend

Vajzat shqiptare po marrin kurse vetëmbrojtje sepse nuk ndjehen të sigurta kur ikin jashtë vendit

Në një botë ku njerëzit dhe sidomos femrat po ndjehen çdo herë e më të pasigurta, në Shqipëri femrat kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e nju kursi vetëmbrojtje.

Frederik Hoxha, instruktor vetëmbrojtje tregon për Gazetasi.al se në ndryshim me para disa kohësh ku në kurse vetëmbrojtje kishte vetëm djem që më shumë e bënin për të kaluar kohën apo dhe për të bërë diçka ndryshe, kjo gjë ka ndryshuar tashmë dhe “është zgjuar interesi nga femrat për të bërë kurse të ndryshme, veçanërisht ato të vetëmbrojtjes”. Një nga këto kurse është Krav Maga, ku siç tregon Hoxha, është më e pëlqyera pasi shquhet për efikasitetin, shumëllojshmërinë e teknikave të vetëmbrojtjes dhe është “dizajnuar” për rrugën.

“Krav maga të ndihmon të dalësh nga situata ekstreme kudo që ndodheni”, thotë Hoxha për Gazetasi.al.

Hoxha tregon se një nga arsyet pse femrat në Shqipëri zgjedhin të bëjnë një kurs vetëmbrojtje është edhe fakti se kurdo që kanë shkuar jashtë vendit, ju ka ndodhur një episod dhune në rrugë dhe për këtë kanë zgjedhur të jenë të përgatitura për kurdo që do të kenë mundësi të ikin përsëri jashtë vendit.

“Vajzat më kanë thënë se ka qëlluar që gjatë pushimeve jashtë vendit ju ka ndodhur të kenë tentuar tju marrin çantat hajdutë apo dhe situata të këtij lloji dhe për këtë kanë vendosur të marrin kurse vetëmbrojtje për çdo rast”, tregon Hoxha.

Vajzat në kurset e vetëmbrojtjes janë të moshave 25-35 vjeçare dhe Hoxha tregon se janë shumë të përfshira në këto kurse dhe e trajtojnë me seriozitet çdo taktikë dhe lëvizje sepse e dinë se është diçka që dhe nëse nuk ju është dashur deri tani, mund tu duhet më vonë dhe tani në vendin tonë ka hyrë kultura e vetëmbrojtjes dhe femrat e dinë se “një kurs ku harxhon pak para, në një moment mund të të shpëtojë jetën”.

Keti Gjepali është një nga vajzat që merr kurse nga instruktor Fredi dhe tregon për Gazetasi.al se një nga arsyet pse kërkoi të futet tek grupi Crav Maga është liria dhe mendon se një vajzë që të jetë plotesisht e lirë duhet të ketë dhe lirinë fizike dhe ky kurs ta jep.

“Unë mendoj se gocat në përgjithësi fuqinë e kanë në mendje dhe kjo është pikërisht ajo që ky kurs të jep”, thotë Gjepali.

Ajo tregon se është gjithë atmosfera që krijohet aty që të jep një fuqi dhe në momentin që përfundon stërvitja, “ke një energji shumë të mirë dhe pozitive për veten dhe duket sikur asgjë nuk është e pamundur” dhe kjo është një e mirë shumë e madhe që merr nga ky kurs. Përveç kësaj ajo tregon se është dhe ana fizike dhe që kur ka filluar këtë kurs, ajo është shumë herë më mirë dhe më e motivuar për të bërë dhe aktivitete të tjera.

“Është një kurs që të jep forcë fizike dhe mendore dhe vazhdon të jesh femër por me një mendësi tjetër”.

Sano R. është një tjetër vajzë që ka tashmë 2 vite që bën kurse vetëmbrojtje dhe tregon se kjo nuk erdhi rastësisht.

“Para 3 vitesh isha në Itali, Bescia dhe kur po kthehesha në shtëpi erdhi një djalë i ri në moshë dhe më vodhi çantën. Nuk lëviza fare, isha pezmatuar edhe për disa minuta nuk lëviza fare”, tregon ajo e cila shpjegon se sapo u kthye në Shqipëri kërkoi për një kurs vetëmbrojtje dhe tani di shumë taktika që po ti kishte mësuar më parë, do kishte arritur të reagonte në kohë në atë episod dhe nuk do të kalonte traumën që kaloi.

Kurset e vetëmbrojtjes ndiqen dhe nga fëmijë edhe pse me intensitet të ulët për shkak të moshës së tyre por kjo tregon vetëm diçka: femrat në Shqipëri po kërkojnë të bëhen më të forta për të përballuar situata të pakëndshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë