Një “bombë bërthamore” në monarki: Kështu e cilësuan gazetat angleze intervistën e re të Princit Harry me prezantuesen amerikane, Oprah Winfrey.
Për shkak se djali i Charles dhe Dianës, akuzon familjen mbretërore për bullizëm, bllokim dhe braktisje, duke e detyruar përfundimisht të largohej në Kaliforni me bashkëshorten e tij, Meghan, e cila kishte qenë një hap larg nga vetëvrasja.
Një rrëfim me zemër të hapur, ai i bërë gjatë një programi të shëndetit mendor të transmetuar nga “Apple TV”, në të cilin Harry pranon se ka përdorur alkool dhe drogë për të kaluar dhimbjen e shkaktuar nga humbja e nënës së tij në vitin 1997.
“Doja të pija, të merrja drogë, doja të bëja gjëra që më bënin të ndjehesha më pak nga ato që ndieja”, – tregon ai. Në një mbrëmje të vetme, ai mund të pinte alkool një javë të tërë, “jo se më pëlqente, por sepse doja të fshihja diçka”.
Princi 36-vjeçar e përshkroi periudhën e moshës së tij midis 28 dhe 32, si “një makth në jetën time”, të shënuar nga sulme ankthi dhe paniku.
Vështirësitë
Por fjalët më të rënda me pasoja, janë ato me të cilat ai fillon një sulm të ri frontal ndaj familjes. “Sigurisht që tani unë kurrë nuk do të qëndroj në heshtje, – tha ai. – Mendova se familja ime do të na ndihmonte, por çdo kërkesë u prit me heshtje totale, me neglizhencë totale. Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur për të vazhduar rolin tonë, por Meghan kishte probleme”.
Në të vërtetë, në janar 2019, gruaja e tij kishte menduar vetëvrasjen, por ajo u tërhoq, pasi nuk donte t’i shkaktonte një humbje tjetër Harry-t, pas Dianës.
Kritikat ndaj babait
Edhe një herë kritikat më të rënda i drejtohen babait, Princit Charles: i cili gjoja u tha djemve të tij Harry dhe William, se meqenëse ai kishte vuajtur kur ishte i ri, atëherë edhe ata duhej të vuanin.
“Kjo nuk ka kuptim, është krejt e kundërta”, tha Harry, i cili thekson se donte të “prishte ‘traditën’ dhe të sigurohej që historia të mos përsëritet”.
“Pajtimi” i vështirë
Në intervistë Harry këmbëngul se ai dëshiron një “pajtim” me familjen e tij: por pas këtij udhëtimi të ri, shumë të rëndë, rrugët duken më të mbyllura se kurrë.
Biseda me Charles dhe William në fund të varrimit të gjyshit Philip muajin e kaluar në Windsor, duket se nuk vlen asgjë: Harry dhe Meghan, nga mërgimi i tyre i artë në Malibu, duket se këmbëngulin të mos tërhiqen. Monarkia çalon nën goditjet e tyre, dhe ata nuk do të ndalen.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



