Rreth 83% e pronave që u dëmshpërblyen nga kompanitë e sigurimit për shkak të dëmtimeve që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishin të siguruara për efekt kredie.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në raportin vjetor të vitit 2020 thekson se deri në fund të vitit të kaluar ishte shlyer 72% e vlerës së dëmshpërblimit.
Rreth 17% e pronave ishin të siguruara me bazë vullnetare.
“Bazuar në vlerësimet e shoqërive të sigurimit, për këto ngjarje, totali i numrit të dëmeve të raportuara rezulton 6,295 me vlerë rreth 4.7 miliardë lekë. Referuar periudhës 31 dhjetor 2020, dëmet e paguara rezultojnë në nivelin 90% në numër dhe 72% në vlerë, pavarësisht situatës së pandemisë në vend” thuhet në raport.
Pas kohës post-tërmet nga ana e kompanive u vu theksi se risiguruesit që kanë mbajtur edhe peshën kyçe në pagesën e dëmeve që shkaktoi tërmeti mund të rishikonin riskun për Shqipërinë duke rritur kështu vlerën me të cilin hynin në marrëveshje me kompanitë shqiptare.
Por AMF vlerëson se efekti nuk ka qenë shumë i madh.
“Përsa i përket nivelit të ekspozimit ndaj rrezikut, konstatohet se ngjarjet e tërmetit nuk kanë patur efekt të konsiderueshëm në marrëveshjet e risigurimit.
Pagesat ndaj tërmetit zunë pjesën më të madhe të dëmeve bruto të paguara nga ana e kompanive të sigurimit. Në vitin 2020 dëmet e paguara bruto arritën në 7.5 miliardë lekë, përfshirë dhe dëmet objekt Fond Kompensimi, duke u rritur me 17.45%, në krahasim me vitin 2019.”-thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje