Ekonomi

Gurët e fatit për bujqësinë janë hedhur mbi tryezë… a do të dimë t’i lexojmë?

fermere, toke, bujqesi, prodhim

Nga Gisela Troplini - Ilva është një vajzë 20-vjeçare nga fshati Gjyralë i qarkut të Elbasanit dhe që çdo ditë duhet të ndihmojë të ëmën në punë, në mungesë të prezencës së babait i cili ka emigruar në Greqi.

“Këtë vit shpresojmë dhe besojmë që çmimet e produkteve tona do të rriten. Ne mbahemi me duhani në fakt. Ka shumë shitje. Tregtarët vijnë e marrin vetë këtu. Por gjatë pandemisë edhe duhani ra në 3.500 lekë të vjetra për kilogram  nga 4.000 lekë të vjetra që e kishim shitur gjatë 2020-s. Këtë vit parashikojmë të shkojë prapë në 4 mijë dhe ta kalojë”,-thotë I.F për “SI”.

Bimë duhani e sapombjellë nga 20- vjeçarja në Gjyralë

Ajo tregon se fermerët e tjerë në fshat, mbjellin bishtajore, por e kanë akoma në pikëpyetje tregun e tyre.

“Ne kishim dy vite që mbillnim lulen Cian, bimë medicinale. Shitej shumë, ndonëse lodhja ishte e madhe sepse duhet të mblidhje vetëm pistilët e gonxhes, ja vlente. Gjatë vitit të shkuar u kultivua masivisht dhe kur vinin tregtarët nëse nuk binin dakord me çmimin që shkon përkrah me punën iknin sepse e gjenin dhe diku tjetër. Këtë vit nuk e mbollëm më sepse humbja nga viti i shkuar qe e madhe”,- shprehet 20-vjeçarja.

Bimë Ciani e kultivuar nga 20- vjeçarja në Gjyralë

Përveç pemëve frutore që janë të përhershme tashmë, Ilva ripërmend që të ardhurat janë  te duhani sepse sido të jetë do të shitet.

Ajo është studente, shumë e mirë madje,  por mësimi online i ka dhënë më shumë hapësirë të jetë në krahë të familjes së saj. Është e vështirë ta kapësh “në linjë” atë gjatë ditës sepse është duke punuar. Kështu kalon pjesa më  e madhe e kohës së saj, madje dhe gjatë pandemisë ajo nuk qëndroi në karantinë. Ajo punonte dhe shikonte perëndimet buzë liqenit që ndodhet pranë shtëpisë së saj.

Jo shumë larg nga Tirana fizikisht, I.F tregon realitetin në Gjyralë, shumë larg Tiranës duke shpresuar se puna dhe lodhja e saj dhe mamasë do të shpërblehet.

Viti pandemik 2020 nuk ishte pozitiv për shumicën e sektorëve të ekonomisë, ndonëse disa, siç ishte bujqësia ja dolën të mbajnë gjallë jo vetëm veten, por të gjithë zinxhirin funksional.. Faza e rimkëmbjes pritet të jetë viti 2021.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj,  tha gazetës “Si”, se  parashikon një situatë optimiste për vitin 2021 edhe për shkak të skemave mbështetëse.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj

“Bujqësia është ndihmuar nga shtyrja e kësteve të kredive bankare dhe disa taksave gjatë periudhës së pandemisë. Disbursimi i fondeve grant të alokuara për skemat kombëtare me financim nga shteti dhe fondet grant nga Programi BE IPARD II. Asistenca nga donatorë të huaj në disa prej hallkave kryesore të zinxhirit ushqimor.”

Kryetari i KASH-it tregon se për 3 muajt e parë të vitit 2021 është rritur bujqësia e formalizuar ku vetëm në kaq kohë janë regjistruar me NIPT rreth 20 mijë fermerë.

 Z.Rrapaj thotë se ndonëse agrobiznesi u përball me shumë probleme gjatë vitit të kaluar, ja doli të plotësonte nevojat e tregut vendas duke mos influencuar në rritjen e importit dhe çmimeve për konsumatorët, por pati edhe rritje të eksportit krahasuar me vitin 2019. U ruajt qëndrueshmëria e raportit të arritur një vit më parë 1 me 3 midis eksport – importit të produkteve me origjinë bimore. Gjithashtu sektori në tërësi rezultoi edhe me një rritje modeste dhe e shmangu recesionin gjatë vitit 2020.

“Agrobiznesi në Shqipëri u dëmtua nga 3 fenomene kryesore, rritja e shpenzimeve dhe kostove me rritja të ndjeshme të firove dhe skarcitetit që erdhi nga mosmbjellja, mosvjelja dhe mosevadimi. I gjithë sektori vazhdoi të dëmtohej për një kohë të gjatë edhe nga mbyllja  e bizneseve të ushqimit social, që ndikoi edhe në shitjen e peshkut të freskët, shitjen e mishit të freskët të qingjit, kecit dhe derrit”,- tregon për gazetën “SI”, kreu i KASH-it.

Megjithatë agrobiznesi po vuan nga disa probleme të pazgjidhura të trashëguara nga e kaluara si: politika e gabuar fiskale e ndryshimit të rimbursimit të TVSH-së për prodhimet e fermerëve duke ulur rimbursimin nga 20% në 6%. Mangësitë në parkun e mjeteve mekanike me teknologji bashkëkohore, shoqëruar me tarifat e larta të mekanizimit të proceseve të punës dhe veçanërisht në procesin e vjeljes së prodhimeve bujqësore. Investimet e pamjaftueshme në pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese. Mangësi të theksuara në investime dhe fondeve të buxhetit për funksionimin me efiçencë të laboratorëve për kontrollin e sigurisë ushqimore.

 “Shqipëria ka akoma potenciale të pashfrytëzuara si nga pikëpamja ekstensive dhe intensive për të rritur eksportin nga të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor që përmendëm më sipër. Janë rreth 100 mijë ha sipërfaqe toke e pakultivuar, që mund të duhet të kultivohet në të ardhmen e afërt.”

Z.Rrapaj parashikon që për pak kohë të nisë për herë të parë eksporti shtazor me qingja, keca dhe midhjet do të eksportohen në vendet e pasura të cilat ofrojnë çmime shumë më të mira se në vend dhe se sa në vendet ku eksportohet momentalisht.

“Pritet që në vijim të futen në prodhim sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella vite më parë nga fermerët me pemë frutore, arrore, ullinj, agrume, vreshta etj. Po punohet nga sektori publik dhe ai privat dhe mendoj se do të jetë shumë e afërt koha, që të hapet për herë të parë eksporti i prodhimeve me origjinë shtazore, ku do të veçoja eksportin e qingjave dhe kecave në periudhën pik të shkëputjes së tyre nga mëma, gjithashtu edhe të midhjes në tregjet e vendeve të pasura. Të cilat ofrojnë çmime më të mira se ato të tregut vendas dhe në vendet ku eksportohet aktualisht.”

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit tregon se kuotat e eksportit pa taksa të peshkut dhe produkteve bujqësore shqiptare në vendet e BE janë parashikuar në rritje gjatë vitit 2021 krahasuar me periudhën e kaluar. Procesi i çertifikimit në tërësi dhe ai Global Gap në veçanti po merr mbështetje me grante si nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët. Ky instrument do të nxisë dhe ndihmojë fermerët për prodhime cilësore dhe do të rrisë vlerën financiare të produkteve të eksportuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë