15 historianë, arkeologë dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova kanë nisur punën për hartimin e “Historisë së shqiptarëve”.
Projekti drejtohet nga akademikët Pëllumb Xhufi dhe prof. Neritan Ceka dhe ka në qendër rishikimin dhe botimin e dy vëllimeve, nga mesjeta deri te Pavarësia e Kosovës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, përshëndeti grupin e punës dhe tha se kjo vepër hartohet në kuadrin e nismës për tri veprat madhore albanologjike: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Historia e shqiptarëve”. Për veprën “Historia e shqiptarëve” do të mobilizohen institutet, qendrat kërkimore shkencore dhe përfaqësues të botës akademike.
Drejtues i tekstit akad. Pëllumb Xhufi është shprehur se rishkruhet një vepër me vlerë kombëtare dhe “Historia e shqiptarëve” do të jetë e dimensioneve të tilla ku përshihen edhe shqiptarët jashtë kufijve, dhe jo vetëm që zgjerohet harta demografike, por vepra do të jetë me një natyrë specifike shkencore. Për të do të punojë pjesa më elitare e studiuesve të antikitetit e deri në ditët e sotme.
“’Historia e shqiptarëve’ do të realizohet duke shfrytëzuar një numër të madh autorësh dhe burimesh të rralla, si dhe vëllimet arkivore, ku do të ketë vlerësime, analiza, konfortime burimesh dhe autorësh për çështje me interes të veçantë apo të debatueshme historiko- shkencore”, njofton Akademia e Shkencave.
Drejtues i tekstit, prof. Neritan Ceka, arkeolog, e quajti risi përfshirjen e historisë së antikitetit, me të cilën fillon “Historia e shqiptarëve” e kryesisht të periudhës ilire si një zanafillë ku ka nisur edhe të formësohet identiteti ynë kombëtar.
Në tekstin “Historia e shqiptarëve” do të përfshihen veç historisë së mesjetës edhe prurjet në lëmin e arkeologjisë, studimet dhe vepra të autorëve të shquar të ankitiketit si Hasan Ceka, Skënder Anamali, e të të tjerë.
“Janë 20 autorë pjesëmarrës në hartimin e veprës: akad. Pëllumb Xhufi, prof. Skënder Muçaj, prof.Neritan Ceka, prof. Gjon Berisha (Kosovë), prof. Sabit Syla (Kosovë), akad. Myzafer Korkuti, prof. Saimir Shpuza, prof. Luan Përzhita, prof. Ferid Duka, prof. Adem Bunguri; prof. Apollon Baçe, prof. Paskal Milo, akad. Beqir Meta, prof. Sonila Boçi, prof. Ledia Dushku e të tjerë autorë kontribues që do të punojnë për hartimin e një vepre me 1500-2000 faqe, me tre vëllime dhe me një shtrirje kohore të lëndës që nga ankititeti deri në kohët moderne. Projekti do të finalizohet në vitin 2023”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



