Pas uljes së ndjeshme në muajin prill, yield-et e bonove të thesarit me maturim 12 mujor u rritën lehtë në ankandin e parë të majit.
Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në ankandin e të martës ,bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.7%, nga 1.63% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Shuma totale e paraqitur në ankand dëshmoi sërish për një kërkesë të lartë të investitorëve financiarë prej 14.1miliardë lekësh , nga 9.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Ofertat konkurruese gjithashtu u rritën ndjeshëm në në 79%, nga vetëm 23% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Edhe pse ankandi i parë i majit ka sjellë një normalizim të yield-eve ata sërish ngelen në nivele relativisht të ulëta.
Në ankandin e të martës, yield-i i bonove me maturim 6-mujor ra në 1.25%, nga 1.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të mbajtur në fillim të muajit mars.
Kërkesat totale arritën në 3.1 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Ky nivel i ulët i yield-eve dëshmon një funksionim të mirë të mekanizmit të transmetimit. Në mbledhjen e fundit që u zhvillua në muajin mars, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




