Ekspertët e shëndetit mendor dhe sociologët e konsiderojnë dhunë ndaj të miturve përfshirjen e tyre në proceset politike dhe sidomos në fushata elektorale. Pas betejës zgjedhore në Shqipëri, ku nuk kanë munguar as këtë herë fëmijët, si në fushatë apo në spote në TV dhe rrjete sociale, pyetja që ngrihet është se si ndikon kjo tek të miturit?
Sociologia Marsida Simo i shpjegoi Gazetasi.al se për të folur mbi këtë temë duhet të ndahen prindërit të cilët i përfshijnë fëmijët në politikë me vetëdije. Sipas sociologes këta janë prindër që diskutojnë, ose konfliktohen me të tjerët, informohen për politikën edhe kur fëmijët janë të pranishëm. Madje mund të ndodhë që u mësojnë fëmijëve emrat e politikanëve që ata preferojnë dhe të urrejnë partinë kundërshtare. Në këndvështrimin e Simos, ka raste kur politika merr thuajse formën e besimit fetar, si zakone dhe rituale që duhen trashëguar te fëmija.

Në foton e mëposhtme është një fëmijë në fushatën e fundit në Shqipëri, që sigurisht nuk është i vetëdijshëm se pse ndodhet aty. Në këto 3 dekadat e fundit në vend raste të tilla kanë qenë të shumta. Të mitur që janë përfshirë me vetëdijen e prindërve, ata që janë ndodhur rastësisht në mitingje, apo kur politikanët u kanë shkuar në shkolla apo lagje.

Gjatë fushatës zgjedhore organizata për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve CRCA/ECPAT Shqipëri u bëri thirrje të gjitha partive politike pjesëmarrëse që të respektonin të drejtat e fëmijëve., duke “denoncuar çdo parti politike apo kandidat që shfrytëzon apo përdor fëmijët për qëllime të përfitimit elektoral”. Nëse partitë politike e kanë seriozisht dhe në zemër kauzën e tyre për fëmijët, ne u rekomandojmë atyre të ulen, të bisedojnë e të dëgjojnë fëmijët. Ju duhet të mësoni prej fëmijëve se cilat janë problemet dhe pritshmëritë e tyre”, thuhej në deklaratën e organizatës.
“Me këto pikëpamje fëmija merr mesazhin se ai i përket një krahu politik dhe çdo parti tjetër është armik që duhet sulmuar. Më tej këta fëmijë i sheh edhe nëpër protesta me pankarta në duar, duke brohoritur apo duke përdorur dhe fjalor banal. Është për të ardhur keq dhe nuk është aspak e shëndetshme që këta fëmijë të prezantohen kështu me politikën dhe të gjitha konceptet që vijojnë pas saj si qeverisja, ligjet, ekonomia etj., marrin formë të tjetërsuar”, shpjegon Simo.
Pas një fushate zgjedhore ku u vu re qartë se fjalori i papërshtatshëm i politikanëve nuk kurseu as fëmijët, sociologia shpjegon se ka edhe prindër që mund edhe të mburren që fëmija e tij 4-5 vjeçar di emrat e politikanëve, kur në atë moshë duhet të rendisë personazhe të filmave për moshën e vet. Konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së fëmijëve, të ratifikuara edhe nga Shqipëria prej kohësh e kanë të përcaktuar që përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale është e ndaluar.

Edhe organizata “Save the Children” më herët ka deklaruar se përdorimi i fotografive të politikanëve me fëmijë për të marrë më shumë vëmendje, është i papranueshëm.
Sociologia Simo shpjegon se të edukosh fëmijën me gjuhën e urrejtjes, qoftë kjo edhe për preferencat politike, është dhunë. Më tej ajo shton se prindërit duhet t’i mbajnë larg fëmijët dhe nga mediat të cilat së fundmi flasin vetëm për politikë e t’u shpjegojnë atyre situatën.
“Megjithatë koha që i kushtohet medias mund të menaxhohet më së miri dhe kjo do të ishte e shëndetshme për fëmijën, por edhe për prindërit. Duhet kuptuar se politika është në shërbim të shoqërisë dhe deri sa kjo nuk ndodh dhe gjuha e urrejtjes po vlon në ekranet tona, kemi detyrë dhe përgjegjësi t’i mbrojmë fëmijët tanë”, shpjegon sociologia.
Sipas saj, politika është një fushë ku edhe ne të rriturit nuk e kemi të plotë informacionin, pasi në përgjithësi mungon edukimi politik. Ndaj, këtë “mungesë të konceptit të duhur mbi politikën mund t’ua përcjellim dhe fëmijëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










