Nga Daniel Lavelle – Covid-19 na mbylli në shtëpi dhe nuk na la hapësirë të flasim me njerëz, ku shumë “u detyruan” të bisedojnë me veten e tyre. Në fillim të vitit 2020, nisa një kërkim njëmujor për të gjetur biseda kuptimplota me të panjohur. Ankthi, mbyllja në vetvete dhe mungesa e marrëdhënieve shoqërore kanë ndikuar në pandemi duke bërë që të gjithë njerëzit të kenë nevojë për të folur me të tjerë, qofshin ato dhe të panjohur.
Pyesja veten nëse bisedat e rastësishme me njerëz mund të shkatërronin atë ndjesi vetmie dhe të hapnin një botë të re të zbulimeve shoqërore. Po. Pasi kapërceva ndrojtjen time fillestare, fillova të bisedoj. Deri në fund të muajit, unë bisedoja vazhdimisht me shitësin në marketin afë shtëpisë, me të cilin kisha shmangur madje dhe kontaktin me sy për më shumë se një vit, berberi nuk ishte më një person ku shkoja të qethesha dhe kaq por mu kthye në një person ku mund të rrëfeja cdo gjë si dhe mësova emrat e shumë komshinjve të mi.
Pastaj qiradhënësi më tha se duhet të dal nga shtëpia dhe u transferova në pjesën tjetër të qytetit(Londër). Këtu u desh të filloja përsëri me procesin e risocializimin.
Unë gjithmonë kam biseduar me veten time, zakonisht vetëm disa fjalë inkurajimi ndërsa ngrihem në mëngjes, ose kur po përpiqem të kuptoj cfarë po ndodh dhe në fund kuptova se i vetmi person që kisha ishte vetja ime. Problemi me këtë është që unë di gjithçka për mua dhe shpejt u bë diçka monotone.
A kam nevojë për ndihmë? Jo domosdoshmërish, thotë Paloma Mari-Beffa, një pedagoge në psikologji në Universitetin e Bangor. Ajo thotë se shumica prej nesh flasim me veten tonë, në heshtje, gjatë gjithë kohës “dhe me ‘gjatë gjithë kohës’ kam parasysh edhe kur fle”, thotë ajo.
“Truri është gjithmonë aktiv. Gjithmonë gjeneron imazhe ose fjalë”, thotë Mari-Beffa.
Nëse jemi gjithmonë në bisedë me veten tonë, pse nuk flasim të gjithë me zë të lartë? Përgjigja, thotë Mari-Beffa, është në të dy anët e trurit: njëra kaotike dhe e rastësishme dhe një tjetër e rregullt dhe e kontrollueshme.
“Kur flisni me zë të lartë, nuk është e rastësishme, e organizoni, e kontrolloni, i jepni formë. Kur njerëzit janë nën stres ekstrem, ose vuajnë nga sëmundje mendore, të dy rrjetet mund të jenë aktiv në të njëjtën kohë. Ky fenomen mund të shpjegojë probleme të tilla si sindroma Tourette dhe skizofrenia. Sidoqoftë, biseda e vetë kontrolluar mund të ketë përfitime të mëdha. Në vitin 2012, Mari-Beffa zhvilloi një eksperiment që u kërkoi 28 pjesëmarrësve të lexonin një seri udhëzimesh në heshtje ose me zë të lartë. Grupi që lexoi me zë të lartë tregoi nivele më të larta të përqendrimit dhe performancës në detyrat që u ishin dhënë. Një studim tjetër, nga Universiteti i Miçiganit, zbuloi se të folurit për veten mund të rrisë vetëvlerësimin, të përmirësojë besimin dhe të na ndihmojë të kapërcejmë sfidat e vështira. Studimi , botuar në 2014, tha se ata që i referoheshin vetes me përemra të vetës së dytë dhe të tretë i menaxhonin mendimet e tyre më mirë sesa ata që flisnin në vetën e parë.
Chris Gilham (jo emri i tij i vërtetë), një student 23-vjeçar i IT-së nga Uashington DC, filloi të flasë me vete me zë të lartë kur filloi pandemia. Para mbylljes, ai shoqërohej në kafenetë me miqtë e tij nga kolegji; tani pjesën më të madhe të kohës e kalon vetëm. Ai thotë se maskat kanë ndihmuar: në raste të rralla kur viziton dyqanin, ai mund të flasë me vete nën zë dhe askush nuk mund t’i shohë buzët e tij duke lëvizur. Gilham vuan nga ankthi dhe thotë se të folurit me vete e ndihmon atë të ngadalësojë “trenin e tij të vazhdueshëm të mendimit … Ndihmon në përpunimin e diçkaje”, thotë ai. “Nëse jam duke lexuar një libër shkollor, riformulimi i tij me të vërtetë ndihmon”.
“A keni një partner që mund të jetë në anën tuaj të kundërt kur jeni duke u grindur?” pyet psikologia klinike Carla Manly përmes telefonit nga zyra e saj në Kaliforni.
“Jo, unë jetoj vetëm”, them unë.
“Të gjithë duam të kemi, në mënyrë të natyrshme, dikë me të cilin duam të diskutojmë dhe biseda me veten mund të jetë një alternativë e mirë”, thotë Manly.
Ajo shpjegon se biseda me veten mund të bëhet problem nëse e bëni aq shumë saqë shqetëson dikë me të cilin jetoni, përndryshe është normale.
“Bëhet fjalë për: a është e përshtatshme për situatën? A po prish ndonjë marrëdhënie, qoftë në shtëpi, punë apo diku tjetër? A e kam nën kontroll?
Manly shkëmben vetëm disa fjalë me veten herë pas here, por ajo bën biseda me qenin e saj.
“Dikush mund të thotë:‘ A mendon vërtet se qeni po e kupton? Ajo është e çmendur. ’Unë nuk jam, sepse e di çfarë po bëj”.
Kështu që, unë jam më i mençur se sa mendoja se isha, thjesht kam nevojë për një mik për të diskutuar.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




