Menaxhim

Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë aeroportin “Nënë Tereza” për një vit

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se do të monitorojë për 1 vit aeroportin “Nënë Tereza” lidhur me transaksionin 71 milionë euro  nga Kastrati Group, që bleu vitin e shkuar aksionet e plota të koncesionit të TIA-s.  Momentalisht TIA është monopol, i vetmi aeroport në vend, deri sa të bëhet funksional aeroporti i Kukësit, që sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapet rreth qershorit 2021.

AK-ja mori përsipër gjithashtu të monitorojë tri tregje të reja si sektori i ekonomisë digjitale; tregu i mediave audiovizive; tregu i shërbimeve portuale.

Autoriteti ka publikuar raportin ku listohen tregjet të cilat do t’i monitorojë përgjatë vitit 2021. Aty përfshihet tregu i telekomunikacioneve; tregu i energjisë; tregu i hidrokarbureve; tregu financiar; tregu i sigurimeve; tregu farmaceutik (barna dhe pajisje mjekësore); tregu i produkteve paramjekësore (maska, alkool, xhel disinfektant, termometër); tregu spitalor; tregu i prokurimeve publike.

Synimi dhe roli i AK-së është monitorimi dhe ndalimi i veprimtarive me tendencë monopolistike apo që dëmtojnë konkurrencën.

Në vitin 2020, gjatë pandemisë AK-ja raporton se është konstatuar rritje e pajustifikuar e çmimeve për produktet maska, alkool, xhel-dezinfektues dhe termometra. Mbi ndërmarrjet ku është konstatuar kjo rritje çmimesh u vendosën gjoba dhe masa të detyrueshme zbatimi.

Një tjetër kërcënim i konkurrencës dhe abuzim i postit dominues u gjet në kompanitë e tregut të importit të grurit dhe miellit nga kompanitë AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK të cilat u përballën me detyrimet e vendosura nga AK-ja:

1.Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

2.Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet.

3.Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.

4.Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.

Një tjetër rast gjatë vitit 2020, ishte shfrytëzimi i postit dominues të kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit lidhur me financat e strukturës dhe shkelje të tjera.

AK-ja gjobiti dhe vendosi masa detyruese për kompaninë Bankers Petrolum LTD pas një hetimi të thelluar lidhur me pabarazinë e tregtimit me kompanitë kontraktore.

Durrës Container Terminal SHA mori gjithashtu gjobë nga Autoriteti nën akuzën e shfrytëzimit të postit dominues dhe shkelje të konkurrencs në treg.

Në fokus të AK gjatë vitit 2021 do të jetë edhe mbrojtja e të dhënave personale dhe konkurrenca, si një çështje më rëndësi të veçantë në axhendën e Autoriteteve homologe të Konkurrencës në BE, si dhe atë të DG Competition.

Gjatë vitit 2020, sipas raportit Autoriteti i Konkurrencës depozitoi në buxhetin e shtetit 12.41 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë