Ngjarje

Itali, muratori shqiptar vret gruan me çekiç. Fëmijët u fshehën në dhomën e gjumit

Ka përdorur një çekiç dhe ndoshta në kulmin e një debati, një murator shqiptar në Itali, i identifikuar si 51-vjeçari Gëzim Alla, vrau gruan e tij 39-vjeçare Dorina Alla.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e çiftit në Pove del Grappa (Viçenca), ku ishin të pranishëm fëmijët e çiftit, të moshës 13 dhe 9 vjeç. Nëse ata nuk e kanë parë skenën e krimit, ndodhi vetëm për shkak se gjatë britmave të para të sherrit të dhunshëm, ata u fshehën në dhomën e tyre të gjumit, duke njoftuar kushërirën e tyre 20-vjeçare, e cila u tha atyre të mos dilnin jashtë dhe “se do të vinte aty menjëherë”.

Por pak më pas, burri vrau partneren e tij dhe njoftoi 112-ën, duke u dorëzuar te karabinierët që kishin mbërritur nga Bassano del Grappa.

Si nisi sherri

Familja, me origjinë shqiptare, kishte jetuar në zonën e Viçencës për vite me radhë dhe kurrë nuk kishte pasur probleme, si me punën ashtu edhe me bashkëjetesën në komunitetin e vogël.

Për të rindërtuar ngjarjen, përveç karabinierëve të Bassanos, erdhën edhe kolegë nga njësia hetimore e Viçencës, të cilët gjetën armën e vrasjes dhe prokurori në detyrë për të marrë dëshminë e autorit.

Pikërisht mbi arsyet e gjestit, hetuesit mbajnë konfidencialitetin më të rreptë, edhe pse në këtë moment, hipoteza më e besueshme, është ajo e një grindjeje e degjeneruar në dhunë, me burrin që do të sulmonte gruan e tij, duke e goditur në kokë me çekan, derisa i shkaktoi vdekjen.

Fëmijët u janë besuar të afërmve

Nga ana tjetër, fëmijët – të larguar menjëherë nga shtëpia – iu besuan një të afërmi të çiftit që jeton në zonën e Bassanos. Zona përreth shtëpisë ishte e mbyllur për kalimin e njerëzve dhe trafikut për të shmangur praninë e kalimtarëve që donin të shihnin se çfarë kishte ndodhur në qytezën e vogël, asnjëherë e njohur për ngjarje të tilla, krejtësisht të pabesueshme.

Në fakt, lajmi u bë publik në një kohë shumë të shkurtër dhe disa banorë iu afruan shtëpisë përmes rrugës “Bastianelli”, por pa qenë në gjendje të kalonin shiritin e sigurisë të vendosur nga policia.

Një çift diskret

Në një komunitet të vogël, si ai i Poves, në shpatet e Monte Grappas, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, bëhet fjalë  për një dramë familjare që i ka befasuar të gjithë, siç kanë thënë disa banorë. Sipas disa dëshmive, fqinjët e përcaktojnë familjen si të qetë, por edhe të ndrojtur, me gruan që shihet disa herë duke shoqëruar fëmijët e saj në shkollë ose duke dalë për të blerë ushqime në dyqan. Edhe kryetari i bashkisë, Francesco Dal Monte, i cili nga ana e tij nuk ishte në gjendje t’i afrohej shtëpisë, konfirmon se asnjë nuk e mendonte se do të ndodhte një krim i tillë makabër.

“Kushërira ime më njoftoi duke bërtitur”

Dëshmia e Alessia Kadri, 20 vjeçe, mbesa e gruas së vrarë, e marrë në vendngjarje nga “Corriere del Veneto”, është shqetësuese.

“Kushërira ime më thirri dhe më tha që prindërit po grindeshin. Ajo i dëgjonte ata duke ulëritur dhe nuk dinte çfarë të bënte, kështu që unë i thashë që të mbyllej në dhomë me vëllain e saj. Sidoqoftë, kurrë nuk do të kisha menduar se një gjë e tillë serioze mund të ndodhte”.

Nga ajo që doli disa orë pas krimit, e diela nuk ishte grindja e parë midis bashkëshortëve Alla, aq sa në raste të tjera, përmes rrugës “Bastianelli”, karabinierët duhej të ndërhynin.

“Kushërinjtë e mi gjithmonë grindeshin, – vazhdon Alessia, – ata nuk merreshin vesh. Ajo (gruaja) ka dashur të largohej, të kërkonte një punë dhe të zhvendosej në një shtëpi tjetër, duke marrë fëmijët me vete, por ai nuk donte të hiqte dorë nga ata”.

Motivi i mundshëm: ajo donte të largohej nga shtëpia

Mund të ketë qenë pikërisht vullneti i gruas – shkruan “Corriere del Veneto” -, shkaku për të lënë shtëpinë e çiftit, që ka shkaktuar tërbimin vrasës të burrit, i përshkruar si një person i përkushtuar kryesisht për punë. Nga ana tjetër, Dorina, nuk punonte, por kujdesej për fëmijët, të cilët shkonin në shkollat ​​e qytezës.

Një amvisë, ajo mbahet mend nga mbesa e saj, si një person i dashur dhe social me të tjerët.

Së bashku me burrin dhe fëmijët e saj, ajo arriti në Pove në vitin 2017 ku, për më shumë se njëzet vjet, jeton edhe familja e motrës së saj.

Të dielën, pasi dëgjoi lajmin e tragjedisë, ajo u sëmur dhe u transferua urgjentisht në spitalin në Bassano del Grappa, i njëjti qytet ku dy fëmijët e çiftit gjetën mikpritjen nga disa të afërm, të cilët deri në mbrëmjen e së dielës vonë, nuk u informuan ​​për atë që në të vërtetë i ndodhi nënës së tyre.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë