Nëpërmjet regjistrave të Matias Morlas, përfaqësuesit ligjor të besuar të ish-yllit argjentinas, Diego Armando Maradona, është zbuluar shifra e pabesueshme e dhuratave dhe donacioneve që ai ka bërë për të afërmit nga viti 2014 deri në 2020-ën. Maradona mbulonte çdo lloj shpenzimi, nga shtëpitë te makinat, nga bizhutë te pushimet, nga faturat e telefonit te sigurimet shëndetësore dhe gjithçka tjetër.
Miliona dollarë të dhuruar për të afërmit, ata që sot janë në një betejë ligjore për të vënë duart te pasuria që ai ka lënë pas. E ndërsa gjykatës dhe avokatë janë duke punuar për të nxjerrë trashëgiminë e saktë të Maradonës, duke parë edhe llogaritë që ai kishte jashtë Argjentinës, është zbuluar shifra e shpenzimeve që “Pibe de Oro” ka bërë vitet e fundit të jetës për bamirësi ndaj miqve, familjarëve dhe të afërmve.

Sipas regjistrave të llogarisë që disponon Matias Morla, përfaqësuesi ligjor i “Diez”, i cili përfundoi në “syrin e ciklonit” pas akuzave të ndërsjella me familjarët e ish-futbollistit, rezulton që 4.699 milionë dollarë janë shpenzuar vetëm në periudhën 2014-2020.
Dhe nga këto regjistra që po shihen me shumë kujdes, del gjithçka: makina, apartamente, pushime, sigurime shëndetësore, vizita të specializuara, shpenzime për ushqimin, pagesa te parukierë dhe estetistë e madje deri te faturat e telefonit. Në fakt, Maradona mbante një ushtri të tërë personash, duke mbuluar shpenzimet e tyre.
Ata që kanë përfituar më shumë nga bamirësia e “Diez”, sipas llogarive në regjistra, janë 5 fëmijët e tij, Dalma, Xhanina, Diego Jr., Jana dhe Diego Fernando. Më pas vijnë ish-gruaja Klaudia Vilafane, dy ish-të fejuarat Veronika Ojeda dhe Rocio Oliva, dy vëllezërit Hugo dhe Raul, dhe 5 motrat Ana, Kiti, Lili, Maria Rosa dhe Klaudia. Ka edhe përfitues të tjerë, siç janë prindër të ish-mikeshave të Maradonës, siç është nëna e Rocio Oliva, së cilës ai i dhuroi 155 mijë dollarë në 2017-ën për blerjen e një apartamenti.

Mes shpenzimeve të bëra që nga viti 2014, kur nisi mbajtja e llogarisë, figurojnë 25 mijë dollarë të paguar për të blinduar makinën e ish-të fejuarës Veronika Ojeda, 38 mijë dollarë për pagesat e fluturimeve private të vajzave Dalma dhe Xhanina, si dhe 255 mijë dollarë për pushimet e tyre. Në maj të 2017-ës figuron një pagesë prej 378 mijë dollarërsh për udhëtimeve të fëmijëve dhe miqve, por pa një destinacion preciz.
Në regjistrat e Morlas ka edhe dhënie huaje për njerëz të ndryshëm, mes tyre një hua prej 900 mijë dollarësh për ish-gruan Klaudia, që më pas është bërë çështje, sepse shuma në fjalë nuk është kthyer. Në adresë të Diego Jr. figurojnë dy pagesa prej 25 dhe 48 mijë dollarësh në periudhën 2016-2017 për blerjen e një makine dhe dhurata të ndryshme. Shumë nga këto donacione janë sot në qendër të betejës së ndezur ligjore për përcaktimin e trashëgimtarëve.
Mendohet që donacionet e Maradonës të jenë shumë më të mëdha, sepse në regjistra nuk figurojnë shpenzimet e tij para vitit 2014. Sipas shtypit argjentinas, bëhet fjalë për dhjetëra miliona dollarë të shpenzuar. Gjykata e Majemit ndërkohë ka marrë një kërkesë nga avokatët e Diego Jr., Janës dhe Diego Fernandos në lidhje me administrimin e dy apartamenteve luksozë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë në emër të dy vajzave Dalma dhe Xhanina, por aty kanë pjesë të barabartë të 5 fëmijët.

Mes rasteve më të diskutuar nga avokatët aktualisht janë edhe 6 apartamente, të gjithë në Majemi, me një vlerë totale prej 6.237 milionë dollarësh. Për këto apartamente ish-gruaja Klaudia pretendon se është pronare, por sipas Morlas rezulton bashkëpronar edhe Maradona, sepse në atë kohë (2000-2003) ata ishin ende të martuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



