Ka ndodhur

Përplasja me armë zjarri në Mamurras, shoqërohen 7 persona për plagosjen e dy policëve

Dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje me armë zjarri në Mamurras mesditën e së martës. Dyshohet se një polic është qëlluar në këmbë me armë zjarri dhe tjetri me sende të forta.

Bëhet fjalë për efektivët me iniciale F.Ll., dhe I.Z. Po ashtu, është plagosur edhe një person, me inicialet N.V., i cili dyshohet së është një prej autorëve.

Burime bëjnë me dije, se një automjet është afruar pranë patrullës me dy persona brenda dhe policia i ka bërë shenjë që të ndalojnë.

Kaq ka mjaftuar që mes tyre të niste një konflikt për shkak se dy të rinjtë nuk kanë pranuar që t’i nënshtrohen kontrollit. Ata kanë nxjerrë armën, duke plagosur njërin prej policëve në këmbë, ndërsa tjetri është qëlluar me sende të forta.

Nga të shtënat me armë, plumbat kanë kapur edhe një makinë të parkuar buzë rrugës, ndërsa fatmirësisht kanë shpëtuar kalimtarë të rastit.

Autorët janë larguar me një automjet tip “Audi” nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dhënat e mjetit se bashku me makinën u janë shpërndarë të gjitha pikave të policisë, jo vetëm në Mamurras, por dhe qytete të tjera për ndalimin e tyre.

Deri më tani në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar 7 persona, dy prej të cilëve dyshohet të jenë autorë të plagosjes.

Drejt Mamurrasit janë nisur grupe të FNSH Shkodër, si dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit , Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj.

Ndërkohë nuk ka ende asnjë informacion paraprak nga Policia e Shtetit për ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë