Ngjarje

Vëllezërit i bënë pritë, polici bëri qitje të pakontrolluar. Si ndodhi përplasja me armë në Mamurras

Një ditë pas plagosjes ngjarjes së rëndë në Mamurras, ku u plagosën tre persona, mes tyre dy efektivë, policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme, thotë se në pranga ka rënë edhe polici i patrullës në Mamurras, David Madani, i cili qëlloi me armë duke lënë të plagosur dy kolegët e tij dhe personin tjetër të përfshirë në konflikt.

Gjithashtu të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje janë edhe tre kushërinjtë banues në Mamurras: Gjon Fufi (40 vjeç), Rudolf Fufi (31 vjeç) dhe Nikoll Fufi (Vorfi) (36 vjeç), i cili mbeti i plagosur me sende të forta në vendin e ngjarjes.

SHÇBA shpjegon se ngjarja ka ndodhur, pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F., për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë ushtrimit të detyrës, punonjësit e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N.V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e stacionit policor në Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.

Më pas, rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit, i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. 

Sipas SHÇBA-së, tre personat goditën me sende të forta,  punonjësin e policisë David Madani, i cili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj, nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë Ilir Zekaj  dhe Flamur Lleja.

Sipas SHÇBA-së, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm. Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë D.M. si dhe automjeti tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes.

Po ashtu, SHÇBA, arrestoi në flagrancë inspektorin e policisë David Madani, 45 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë