Qeveria nuk mund të plotësojë kërkesën e aktivistëve dhe organizatave mjedisore vendore dhe ndërkombëtare për të shpallur Lumin e Vjosës si Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij.
Kryeministri Edi Rama thotë se ka qenë ai që e ka shtyrë përpara idenë për të mbrojtur këtë lum duke e kategorizuar si zonë të mbrojtur, por vlerëson se shpallja e tij Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën është e pamundur.
“Idenë e Vjosës Park Kombëtar kemi qenë ne që e kemi promovuar. Zonë e mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht nga ndërhyrjet në shtratin e saj, që nuk lejon ndërtimin e digave për hidrocentrale, ndërsa koncepti Park Kombëtar duhet trajtuar në zonë në mënyrë të kujdesshme, sepse nuk mund të shtrihet në gjithë rrjedhën e saj. Duhet ndarë zona e mbrojtur nga ajo Park Kombëtar, si dhe nga zhvillimi i aktiviteteve që nuk kërcënojnë Vjosën vetë”, thotë Rama gjatë një interviste në “Wake Up”.
Vjosa është lumi i fundit i ashtuquajtur i egër në Europë, që do të thotë se është i vetmi në kontinet ku dora e njeriut nuk ka ndërhyrë në rrjedhën e tij.
Mbi këtë arsyetim, shoqata vendase e ndërkombëtare dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit kanë ndërmarrë fushatën “Vjosa Park Kombëtar Tani”. Kësaj fushate i janë bashkangjitur edhe emra të njohur, mes të cilëve edhe aktori i famshëm Leonardi Di Caprio.
Shpalljen e Vjosës Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij e ka mbështetur edhe Presidenti Ilir Meta, ndërsa këtë e ka kërkuar edhe Bashkimi Europian në raportin e fundit të progresit të miratuar nga PE.
Në këndvështrimin e Brukselit janë disa projekte të Qeverisë shqiptare që cenojnë zonat e mbrojtura dhe theksi vihet tek Valbona në veri dhe Vjosa në jug.
“I kërkojmë Qeverisë që të minimizojë ndikimin tek biodiversiteti duke ndaluar projektet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, sidomos në zonat pranë lumenjve Valbonë dhe Vjosë”, thuhet në raport.
Valbona është shpallur Park Kombëtar dhe i njëjti status bëhet thirrje që t’i jepet Vjosës përgjatë të gjithë rrjedhës së tij.
“Të vendoset sa më shpejt shpallja e Vjosës Park Kombëtar përgjatë të gjithë rrjedhës së tij në përputhje me zotimin e bërë”, thotë raporti.
KE shpreh shqetësim se disa projekte kanë bërë dëmtim të mjedisit në zonat e mbrojtura dhe i kërkon Qeverisë që të konsultohet ngushtë me shoqërinë civile dhe komunitetet vendore para se të vendosë për projekte të tilla në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.