Politike

BE: E gjithë Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Komisioni Europian i kërkon Shqipërisë përmes raportit të miratuar javën e kaluar nga Parlamenti Europian, që të diversifikojë prodhimin e energjisë elektrike, por ta bëjë këtë përmes projekteve që mbrojnë biodiversitetin.

Në këndvështrimin e Brukselit janë disa projekte të Qeverisë shqiptare që cenojnë zonat e mbrojtura dhe theksi vihet tek Valbona në veri dhe Vjosa në jug.

“I kërkojmë Qeverisë që të minimizojë ndikimin tek biodiversiteti duke ndaluar projektet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, sidomos në zonat pranë lumenjve Valbonë dhe Vjosë”, thuhet në raport.

Valbona është shpallur park kombëtar dhe i njëjti status bëhet thirrje që t’i jepet Vjosës përgjatë të gjithë rrjedhës së tij.

“Të vendoset sa më shpejt shpallja e Vjosës Park Kombëtar përgjatë të gjithë rrjedhës së tij në përputhje me zotimin e bërë”, thotë raporti.

KE shpreh shqetësim se disa projekte kanë bërë dëmtim të mjedisit në zonat e mbrojtura dhe i kërkon Qeverisë që të konsultohet ngushtë me shoqërinë civile dhe komunitetet vendore para se të vendosë për projekte të tilla në të ardhmen.

Në raport përsëritet thirrja për nevojën që Shqipëria të nisë të zbatojë sa më shpejt strategjinë 2020-2035 për menaxhimin e mbetjeve, duke ndërtuar një sistem të integruar, që në vend të djegies së tyre të nxisë riciklimin.

“Të promovohet riciklimi, të mbyllen venddepozitimet ndotëse të mjedisit në përputhje me standardet e BE, të ndalohet shpyllëzimi dhe ndotja me plastikë e Adriatikut”, thotë raporti.

KE kërkon që Shqipëria të bëhet pjesë e marrëveshjes së klimës së Parisit dhe të miratojë pa vonesa ligjin për klimën dhe rregulloret e mekanizmat për vëzhgimin dhe raportimin e emëtimit të gazrave serrë.

Raporti vlerëson politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare sa i përket energjisë, duke i lexuar ato si plotësisht në përputhje me BE, SHBA dhe NATO-n. Aty përmendet gazsjellësi TAP dhe projekti për shndërrimin e Portit të Vlorës në një port hyrës për gazin amerikan në rajon.

KE vlerëson rolin e Shqipërisë sa i takon krijimit të minishengenit ballkanik dhe qëdrimet e vullnetin për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe, duke cituar këtu dakordësinë e arritur me Greqinë për të çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e detit me Greqinë.

BE bën thirrje për masa konkrete që të adresojnë shpopullimin e vendit dhe largimin e profesionistëve përmes nismave ligjore që nxisin punësim afatgjatë, sidomos te të rinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë