Quilling është një formë arti që përfshin përdorimin e shiritave të letrës që mbështillen, formohen dhe ngjiten sëbashku për të krijuar dizajne dekorative.
Dorina Muhaj, 33 vjeç, ka studiuar për gazetari, por nuk ka punuar në profesion. Në vend të gazetarisë ajo zgjodhi pasionin për punimet e dorës, një pasion i fituar nga prindërit e saj edhe pse vetë nuk kanë qenë të lidhur me këtë.

Quilling ajo e ka njohur rreth 10 vite më parë.
“Pashë kartolinat e bëra nga një i afërm dhe u mahnita si mund të shndërroheshin në art shiritat e letrës. Prandaj kam lexuar, kam parë plot video në internet dhe ishte sikur zbulova një botë të re”, tregon Muhaj për Gazetasi.al.
Ajo tregon se e ka nisur punën e saj me kartolina të vogla për të shoqëruar dhuratat që bënte dhe me kalimin e kohës u bind se dëshira për të bërë dicka të tillë nuk po venitej. Në këtë moment e kuptoi se “pse jo, të bëj një provë për ta kthyer në biznes”.
“Vetëm rreth 2 vite më parë, me nxitjen dhe mbështetjen e bashkëshortit, vendosa të bëj një provë për ta kthyer në punë”, thotë Muhaj.
Si dihet, një artist gjen frymëzim në çdo vend, dhe në gjërat më të vogla. Kështu ndodhi dhe me Muhajn e cila nxitjen për të bërë veshje popullore e ka marrë nga koleksioni me pullat e postës që ka në shtëpi dhe një pjesë e mirë e tyre ishin me motive tradicionale shqiptare dhe të Kosovës. Nisur nga kjo dhe “nga dëshira për të sjellë një gjë të re në treg apo diçka që njerëzit janë të interesuar”, ajo filloi të krijonte veshje popullore me shirita letra që ndryshe quhen filigran letre.
Si punohet një veshje popullore me quilling?
Muhaj shpjegon për Gazetasi.al se një model punohet dhe ripunohet, një proces që kërkon të paktën 4 orë.
“Procesi i punës fillon nga përzgjedhja e ngjyrave dhe dua shumë ti qëndroj ngjyrave që kanë kostumet tradicional prandaj tregoj shumë kujdes”, thotë Muhaj.
Pasi gjen ngjyrat, fillon me prerjen e letrave në shirit të hollë, 3 mm një shirit dhe pastaj ngjiten në varësi të planit.
Muhaj dashurinë për punën e saj e shfaq dhe në cmim e cila thotë se cdo punim, pavarësisht punës dhe kohës, e shet për 3500 lekë të reja. Kjo sepse kur një punë nuk ka cmim, vendin e zë një çmim simbolik.
Pandemia ka ndikuar dhe në punën e Muhajt e cila tregon se klientët më të shumtë i kishte turistë ose shqiptarë që shkonin jashtë vendit dhe donin të bënin një dhuratë. Gjatë izolimit, puna e saj u reduktua dhe për këtë “u detyrua” të bëjë dhe punime të tjera të personalizuara.
Një ndër punët e saj më të vështira për tu realizuar ka qënë “Vallja e Shpatave” të cilës i është dashur 4 ditë për ta përfunduar për shkak të gjithë elementeve si dhe e ka ripunuar shume herë dhe “do të njëjtin durim dhe përqendrim që të dalin format si duhet”.

Ndërthurja e letrës, artit dhe veshjeve popullore bëjnë një krijim unik, të veçantë në llojin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











